Më datë 26 Korrik 2018 Këshilli i Qarkut Vlorë mori pjesë në takimin e parë të projektit strategjik “SAVE WATER / KURSE UJIN”: Përmirësimi i menaxhimit të ujit dhe infrastrukturës së furnizimit me ujë përmes teknologjisë SMART, politikave dhe instrumenteve”, takim që u zhvillua në Korfuz me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjithë partnerëve si dhe përfaqësues të Sekretariatit të Përbashkët Teknik të Programit ndërkufitar në të cilën ky projekt do të zbatohet.
Projekti SAVE WATER / KURSE UJIN është një projekt tre vjeçar që do të zbatohet në zonën ndërkufitare me pjesëmarrjen e tetë partnerëve:
Rajoni i Ishujve Jonianë – partneri Lider
Rajoni i Epirit
Qarku Vlorë
Qarku Korçë
Qendra e mjedisit – Rajoni i Maqedonisë Perëndimore
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të Janinës
Universiteti Jonian- Komiteti i Kërkimit.
Universiteti i shkencave të aplikuara në Maqedoninë Perëndimore
Objektivi kryesor i këtij projekti është rritja e kapacitetit të infrastrukturës ndërkufitare në menaxhimin e ujit përmes planifikimit dhe rehabilitimit të infrastrukturës së furnizimit me ujë të pijshëm duke përmirësuar monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm.
Rezultati i pritshëm i këtij projekti konsiston në përmirësimin e kapacitetit të monitorimit prej autoriteteve rajonale dhe vendore nëpërmjet aplikimit të mjeteve teknologjike me kosto të ulët – vendosjes së sensorëve në infrastrukturat ekzistuese të furnizimit me ujë të pijshëm, me qëllim reduktimin e humbjes së ujit, matjen dhe monitorimin e presioneve të ndryshme të shkaktuara nga njerëzit apo dhe ndryshimet klimatike.
Hartimi i hartave GIS për hartëzimin e burimeve të ujit, furnizimin, presionet dhe kërkesat prej popullatës.
Krijimi dhe përditësimi i një baze të dhënash me qëllim menaxhimin në vijimësi
Një plan veprimi specifik transnacional për parandalimin dhe zbutjen e rreziqeve
Rrjetëzim transnacional për njohjen dhe vlerësimin e presioneve të ujit të pijshëm
Portal për informacion dhe ndërgjegjësim si dhe aplikacion mobile të përdorshëm për qytetarët
Një rrjet SMART sensorësh për monitorimin efektiv të ujit të pijshëm
Veprime pilot me ndërhyrje në infrastrukturën e sistemit të furnizimit me ujë për implementimin e sensorëve në rrjet
Ky projekt për qarkun e Vlorës do të zbatohet në njësinë administrative Novoselë në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, specialistët e njësisë administrative si dhe të Drejtorisë së Ndërrmarjes së Ujësjellësit Vlorë. Për veprimet pilot në sistemin e furnizimit me ujë në Novoselë është planifikuar instalimi i sistemit SCADA, zhvillimi i gjashtë puseve ekzistuese prodhuese, vendosja e sensorëve SMART në këtë sistem si dhe ngritja e një qendre kontrolli e monitorimi me të gjitha pajisjet e nevojshme elektronike për këtë qëllim.
Grupet kryesore të synuara që do përfitojnë nga ky projekt janë: popullsia lokale, administrata rajonale dhe njësitë vendore si dhe turistët.