Loading...

Homazhe në nderim të ish-ministrit, Luan Hajdaraga/Foto

Në nderim të figurës së ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, ish-ministrit të Mbrojtjes Luan Hajdaraga, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot homazhe në sallën e seancave plenare, ku morën pjesë personalitete të njohura të politikës.

I pranishëm në ceremoninë e homazheve që u zhvillua në sallën e seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ka takuar familjarët dhe u ka shprehur ngushëllimet, si dhe ka nderuar figurën e Hajdaragës.

Më herët edhe Presidenti lir Meta zhvilloi homazhe në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë në nderim të jetës dhe veprës së ish-ministrit dhe ish-deputetit Luan Hajdaraga.

Presidenti Meta, pasi u përkul me respekt para trupit të pajetë të të ndjerit duke vendosur një kurorë me lule, i përcolli famijes Hajdaraga ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta për këtë humbje të parakohshme të njeriut të tyre të dashur.

Në prani të mediave Presidenti i Republikës u shpreh për bashkëpunëtorin e tij të vjetër duke theksuar se, “Duket si një moment që nuk i takon botës reale për arsye sepse kujtimet me të janë kaq të shumta dhe kaq të jashtëzakonshme. Ai ishte kaq mendjehapur dhe po kështu me një sens të lartë humori saqë vërtet për mua do të mbetet gjithmonë i gjallë, i këndshëm dhe një njeri i përkushtuar për të përmbushur përgjegjësitë e tij dhe gjithmonë mjaft miqësor me të gjithë”.

Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe ministra të kabinetit qeveritar si dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët i shprehën ngushëllimet familjarëve të ish-ministrit të Mbrojtjes duke e cilësuar si një humbje të një eksponenti më të madh në Partinë Socialiste që në fillimet e saj.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e pranishme në homazhet per ish – ministrin Luan Hajdaraga, u shpreh mjaft e hidhëruar për ndarjen nga jeta të tij.

“Nuk e mendoja kurrë që do e përcillnim kaq shpejt mikun dhe kolegun tonë. Hajdaraga kontribuoi dhe drejtoi me aftësi të rralla institucione të arsimit dhe të shkencës shqiptare. Hajdaraga drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes në ato vite të vështira ku luhej fati i shqiptarëve, fati i Kosovës”, tha Xhaçka.

“Luan Hajdaraga është një rast i rrallë ku bashkohen në një të vetëm profesori, shkencëtari, politikani, legjislatori, dhe shtetari. Do ta kujtojmë si bashkëthemelues dhe nënkryetar i PS në kohët më të vështira”, theksoi ministrja Xhaçka.

Edhe Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-deputetit duke u shprehur se “Hajdaraga nuk ndaloi kurrë së e motivuari, dhe pse rrugët në politikë u ndanë”.

“Nuk ka lamtumirë për ty miku im Luan! Një njeri dhe qytetar i mirë si ty mbetet gjithmonë në zemrat e të gjithë atyre që e njohën. Ne ishim miq dhe bashkëpunëtorë të mirë. Edhe pse rrugët tona politike u ndanë, ti asnjëherë nuk ndalove duke më motivuar.

Sa herë takoheshim i dëgjoja me ëndje këshillat e tua, mbrujtur në mirësi. Kurrë se kam kuptuar nga të buronte gjithë ajo mirësi, por sot që nuk je fizikisht pranë nesh e kam të qartë që është nga gjërat që do të na mungojë më shumë.

Nuk do të të harroj Luan Hajdaraga, edhe sepse duam apo s’duam ti ndikove në ndryshimin e Partisë Socialiste në atë kohë kur ajo kishte frikë të ndryshonte. Ti përkrahe të rinj e të reja në ato vite që sot kanë bërë emrin e tyre. I përkrahe duke iu treguar që të jesh vetvetja është më e suksesshme se të jesh servil.

Të duam LAKE e do na mungosh prof. Luan Hajdaraga”, shkruan Kryemadhi.

Si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si ministër i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga njihet si një nga personalitetet, i cili dha një kontribut të paçmueshëm në Partinë Socialiste./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com