KLD e Topit, Nishanit dhe Metës kanë heshtur dhe kanë mbrojtur gjyqtarët e korruptuar
Po bëhet gati për publikim, një raport i posaçëm, përgatitur nga Ministria e Drejtësisë në ndihmë të procesit të “Vetting”-ut, me kërkesën dhe nën mbikëqyrjen e Bordit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), lidhur me zbatueshmërinë e ligjit, gjatë ushtrimit të detyrës, nga gjyqtarët e gjithë shkallëve të gjyqësorit në Shqipëri.
Objekt i këtij raporti është vetëm verifikimi i zbatimit të afatit kohor, të nisjes dhe përfundimit, të proceseve gjyqësore penale e civile në 15 vitet e fundit, për të parë se sa kohë ka zgjatur trajtimi i dosjeve?
Pse është vonuar fillimi i çështjeve?
Pse janë shtyrë seancat?
Pse janë vonuar shpalljet dhe zbardhjet e vendimeve?
Pse janë vonuar e shtyrë seancat në shkallët e tjera të gjykimit?
Sa dosje janë rikthyer për gjykim, sa janë shtyrë me seanca dhjetëra e qindra here, me muaj e me vite, dhe pse?
Sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), ky raport i është kërkuar Ministrisë së Drejtësisë, mbasi nevojitet si “lëndë e parë bazë”, për Komisionin e Përhershëm të Kualifikimit (KPK), në procesin për verifikimin e bilancit të punës së gjyqtarëve të 15 viteve të fundit, që janë ende brenda sistemit të drejtësisë.
Raporti përfundimtar, që tashmë është në dorën e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), konfirmon se janë verifikuar aftatet e trajtimit të dosjeve, në 22 Gjykatat e Rretheve Gjyqësore të Shkallës së Parë, në 6 Gjykatat e Apelit, në Gjykatën e Shkallës së Parë e të Apelit të Krimeve të Rënda dhe në Gjykatën e Lartë, duke nxjerr bilancin personal, për secilin nga 352 gjyqtarët.
Sipas burimit konfidencial të “PAMFLETI”, rezulton se në 15 vitet e fundit, në të tre nivelet e gjyqësorit Fakt-Apel-Gjykatë e Lartë, janë filluar e trajtuar 6.2 milionë çështje (dosje) gjyqësore penale e civile, seancat e të cilave në total, janë shtyrë 92 milionë herë dhe mos u çuditni, por 60% e seancave të shtyra e të përsëritura, i përkasin çështjeve civile, me bazë pronat, korrupsioni shtetarëve dhe konfliktet e bizneseve me njeri-tjetrin dhe me shtetin.
Ndërkohë që përballë kësaj torture që u është bërë qytetarëve, “kulla” e Zaganjorit të “pastër” dhe KLD e Topit, Nishanit dhe prej 1 viti e Metës, kanë heshtur e po heshtin , duke mbrojtur e ngritur në detyrë gjyqtarë, të proceduar për vonesa e shitje gjyqesh, siç ishte rasti i fundit i KLD “Like” e cila si të ishte “Familje Mafioze”, mbrojti hapur 14 gjyqtarë “blozë” korrupsioni e shkelje ligjesh, që duheshin zhdukur urgjent nga sistemi i drejtësisë./Pamfleti