Lajmin e ka konfirmuar në rrjetin social edhe dramaturgu kosovar, Jeton Neziraj. “Rest In Peace, Bekim Lumi”, ka shkruar ai.
Regjisori dhe profesori i njohur i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Bekim Lumi, që prej dy vitesh po përballej me një sëmundje të rëndë.
Vdekjes së tij nuk i janë pajtuar një numër i madh artistësh nga vendi dhe rajoni. Ata përmes fotografive dhe mbishkrimeve të ndryshme për të, ngushëllojnë familjarët dhe ndajnë momentet që kishin me të.
Për vdekjen e tij, ka shkruar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, duke thënë se ikja e tij e hershme do të zbrazëti në shoqërinë tonë.
“Pikëllues lajmi për kalimin në amshim të regjisorit Bekim Lumi, ndër më të veçantët në artin skenik të Kosovës. Ikja e hershme e Lumit ka lënë një zbraztësi të madhe në familje, shoqëri dhe sidomos në artin e regjisë. Ai nuk reshti për tre dekada me radhë t’i jepte vulën e tij origjinale artit dramatik të Kosovës. Ngushëllime të sinqerta familjes Lumi, të gjithë atyre artistëve që punuan më të si dhe miqve të shumtë. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, ka shkruar ai.
Ndërkohë edhe presidenti Hashim Thaçi ka ngushëlluar për humbjen e tij. “I dhimbshëm lajmi për vdekjen e parakohshme të mikut tim, Bekim Lumi. Si artist e si regjisor, Bekim Lumi kontribuoi shumë për artin, teatrin, kulturën dhe për edukimin e artistëve të rinj. Ngushëllime familjes Lumi dhe të gjithë artistëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij”, ka shkruar ai.
Në emër të Këshillit të Ekspertëve të LDK-së, Avdullah Hoti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e regjisorit kosovar, Bekim Lumi.
“Pikëllues lajmi për shkuarjen në amshim të regjisorit Bekim Lumi. Shfaqjet e tij ishin hapat e parë në modernizimin e teatrit kosovar. Mungesa e tij do të jetë e pazëvendësueshme në botën e artit dhe shoqërisë kosovare.Këshilli i Ekspertëve për Kulturë, Rini e Sport i LDK-së ka qenë i nderuar që ka pasur në mesin e vetë një personalitet të tillë si Profesori i Akademisë së Arteve, Bekim Lumi”, ka shkruar Hoti.
Ai ka shtuar se Lumi mbetet një mik i shtrenjtë, i cili me krijimtarinë e tij artistike, me punën e palodhshme prej pedagogu e eksperti të pashoq në fushën e arteve skenike, la shenjë të pashlyeshme në jetën kulturore të Kosovës.
“Ne do ta kujtojmë përjetë si një njeri me virtyte të larta e si profesionist të shkëlqyer. Ngushëllime familjes, miqve nga bota e artit dhe gjithë artdashësve kosovarë. Zoti e bekoftë Beken tonë. Zoti e bekofte familjen Lumi”, ka përfunduar Hoti.
Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka shkruar në facebook.
“Tejet pikëllues lajmi për vdekjen e Bekim Lumit. Kosova ka humbur një artist të veçantë, një regjisor të talentuar dhe një profesor të çmuar. Dhimbja është shumë e madhe. Ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit të artistëve”, ka shkruar ai.
/koha