Vatrat gjigante të zjarrit shkaktuan gjashtë të vdekur dhe po përhapen me shumë shpejtësi në Kaliforni, ku është shpallur gjendje e pjesshme e emergjencës, mijëra persona janë detyruar të evakuohen, ndërsa u arrestua edhe një person i dyshuar si shkaktari i vënies së zjarrit.
Sipas shërbimit të emergjencave të Kalifornisë rreth 63 000 hektarë janë djegur në 14 vatra të ndryshme zjarri në të gjithë këtë territor, ku janë mobilizuar 10 000 forca zjarrfikëse për stabilizimin e situatës.
Shërbimi i zjarrfikësve, ”Calfire” bëri të ditur se vatra gjigante e zjarrit e quajtur ”Carr” e regjistruar në veri të qytetit Redding shkaktoi vdekjen e dy zjarrfikësve ditën e enjte dhe ka djegur 20 000 hektarë që nga dita e hëna, 500 ndërtesa janë shkatërruar dhe 75 të tjera janë dëmtuar.
Zjarri po avancon me shpejtësi nga të gjitha drejtimet, dëmet janë të pallogaritshme./atsh