Loading...

Check-up falas, MSH: Akuzat e PD qesharake

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka reaguar sot ndaj akuzave të PD lidhur me check up, duke shtuar se në 6 muaj rreth 225,643 qytetarë  kanë përfituar nga kontrolli falas.

“Në përgjigje të akuzave të hedhura për Programin Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë, duke dashur të vazhdojë, ashtu si deri më sot, komunikimin zyrtar dhe transparent me qytetarët shqiptarë, ju përcjell të dhënat me të fundit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili është institucioni përgjegjës për ndjekjen dhe monitorimin e ecurisë së këtij programi. Të dhënat janë të përditësuara, ndryshe nga akuzat, që janë po të njëjtat, të mbushura me fjalë që i merr era pa dalë ende nga goja e atyre që keqinformimin e kanë mjet per t’u ushqyer me mediokritetin dhe amoralitetin e tyre ne politike e në media”, thuhet në deklaratën për mediat të ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas MSH, këto të dhëna janë edhe një konfirmim i besimit të qytetarëve tek ky program, si edhe i mbështetjes së drejtë që Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka dhënë Check Up-it FALAS që ditën e parë, pavarësisht baltës se hedhur që ditën e parë po ashtu, me akuza qesharake që fyejnë inteligjencën e çdo njeriu te arsyeshëm, por që fatmirësisht, i besojnë gjithnjë e më pak qytetarë”.

“Programi kombëtar i Kontrollit Mjekësor Bazë për grupmoshën 35-70 vjeç po jep frytet e veta jo vetëm sa i takon krijimit për herë të parë të një database mjekësore për sëmundshmërinë por edhe për identifikimin, diagnostikimin dhe parandalimin e sëmundjeve invalidizuese me kosto të lartë sociale dhe financiare. Ajo që vihet re referuar të dhënave zyrtare është rritje e ndërgjegjësimit të popullatës për vetë rëndësinë që mbart kontrolli mjekësor bazë për identifikimin e çdo problematike shëndetësore që ky kontroll mjekësor vlerëson, nëpërmjet setit të analizave që çdo qytetar i moshës 35-70 vjeç ka mundësi të kryejë falas, çdo vit”, nënvizon MSH.

Duke u mbështetur në të dhënat për 6 mujorin e parë 2018 në total janë kryer 225,643 kontrolle mjekësore bazë në rang vendi, duke treguar një interes të lartë të popullatës për ta kryer Kontrollin Mjekësor Bazë. Në të gjithë rajonet ka një rritje të konsiderueshme të numrit të kontrolleve check up në vlerë absolute.

Më tej, MSH sqaron se “analizimi i treguesve statistikor të kontrollit mjekësor bazë gjatë këtij viti vlerësojnë se nga kontrolli i kryer kanë rezultuar 19% me rrisk të lartë, 34% me risk të moderuar dhe 47% me rrisk të ulët. Rritja e numrit të kontrolleve mjekësore bazë, ka sjell diagnostikim të hershëm të sëmundjeve, ku përqindja e rasteve të referuara nga kontrolli mjekësor bazë për periudhën janar – qershor 2018 rezultojnë: rreth 84,754 raste janë referuar tek mjeku specialist. Ndër këto: 49.61 % të rasteve janë referuar tek mjeku kardiolog për ndjekje të specializuar, për sëmundje kardiovaskulare, 20.14 % janë referuar me Diabet Mellitus tek mjeku Endokrinolog, 10 % janë referuar për tek mjeku Hematolog”.

“Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm janë arma më efikase kundër sëmundjeve. Ky program jo vetëm përmirëson aksesin e popullatës në shërbimin shëndetësor parësor, por mbi të gjitha ndikon në përmirëson e shëndetit të qytetarëve. Ndikon në uljen kostot e trajtimit të pacientëve në spitale si dhe drejton në mënyrë të drejtë financimin e politikave dhe programeve shëndetësore”, thuhet në deklaratë. /atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com