Loading...

1000 të punësuar në fazën e parë të ndërtimit të aeroportit të Vlorës

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës në fazën fillestare të tij do të sigurojë mundësi punësimi për 1000 persona.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük u shpreh në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “Shqipëria është perla e papërpunuar e Mesdheut, Adriatikut dhe Ballkanit, por njëra nga pengesat më të mëdha në mobilizimin e potencialit të Shqipërisë janë nevojat në fushën e transportit”.

“Ne të gjithë e dimë se në vendet përreth Shqipërisë, qoftë edhe në ishuj dhe qytete të vegjël, ka aeroporte. Sigurisht që kjo ecuri për Shqipërinë nuk do të vazhdojë deri në pafundësi. Duket qartë se duhet filluar diku. Pas studimeve shkencore për fizibilitetin, ne përcaktuam se Vlora është pika më e përshtatshme për këtë fillim”, u shpreh ai.

Vlora, tha ambasadori turk, “ndodhet në një pikë kryqëzimi në aspektin turistik dhe ndoshta është qyteti më i bukur bregdetar i Ballkanit. E dimë se aeroporti në këtë qytet do të luajë rolin e dominosë në transformimin e turizmit në Shqipëri”.

“Ndërtimi i aeroportit të Vlorës është marrë përsipër nga një konsorcium turk, i përbërë nga tri kompani, i cili është duke ndërtuar aeroportin e ri të Stambollit, që do të jetë aeroporti më i madh në botë më kapacitet 200 milionë udhëtarë në vit. Këto kompani janë ndër kompanitë më profesionale turke dhe operojnë me cilësinë e nivelit më të lartë në arkitekturë dhe në ndërtim”, – u shpreh ambasadori Yörük.

Ky projekt, shtoi ambasadori i Turqisë, “në fazën e parë të tij, do të sigurojë mundësi punësimi për 1000 persona, por nuk është e vështirë të parashikosh se ai do të nxisë edhe projektet e tjera infrastrukturore dhe investimet në atë zonë dhe për pasojë do të luajë një rol serioz në zhvillimin e Shqipërisë”.

Në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, nënvizoi Yörük, “ne jemi të gatshëm edhe për projekte të tjera infrastrukturore si aeroporte, autostrada, viadukë, hidrocentrale, ura, tunele, hekurudha. Vendi ynë, ashtu si Shqipëria, ka një reliev të vështirë. Prandaj përvojën dhe akumulimin tonë në infrastrukturë mund t’ia transmetojmë Shqipërisë. Ne dëshirojmë me gjithë zemër duke u eleminuar mangësitë infrastrukturore të Shqipërisë, të luajmë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e saj”.

“Edhe ne lumturohemi kur vëllezërit tanë shqiptarë kanë rrugë, tunele, ura, hidrocentrale, spitale dhe shkolla moderne. Ne besojmë se vëllezërit tanë shqiptarë, që për vite janë ndeshur me pasojat më traumatike të komunizmit dhe që kanë vuajtur shumë, të meritojnë më të mirën”, – tha ambasadori i Turqisë në Tiranë.

“Ne inkurajojmë biznesmenët dhe investitorët turq veçanërisht, për të investuar në Shqipëri. U theksojmë se Shqipëria ka kushte të përshtatshme për të investuar. Natyrisht u flasim edhe për stabilitetin politik dhe ekonomik, sigurinë, lehtësitë fiskale dhe avantazhe të tjera. Zyra e kryekëshilltarit tregtar pranë Ambasadës sonë informon rregullisht investitorët tanë potencialë. Ne tregojmë kujdes për secilin prej tyre. U japim orientimet dhe informacionet e nevojshme për kompanitë që veprojnë në Shqipëri, pagat mesatare të punëtorëve, lehtësitë fiskale etj. Nëse është e nevojshme, bëjmë ndërmjetësime për takime të tyre me autoritetet shqiptare”,  theksoi ambasadori Yörük. /atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com