Partia Demokratike e cilëson jo thjesht një lajm të keq konfirmimin në detyrë të Ardian Dvoranit, por një vendim që i ka vënë Vetingut, vulën e një procesi politik. Kështu, sipas deputetes së partisë Demokratike, Izmira Ulqinaku, në një komunikim nga selia blu, Ardian Dvorani është “shërbëtori politik i Edi Ramës në Gjykatën e Lartë”.
“Ardian Dvorani, simbol i korrupsionit financiar dhe politik në sistemin e drejtësisë, me 100 milionë lekë pasuri të padeklaruar apo me, të paktën, 3 shtëpi të privatizuara në kushtet e konfliktit të pastër të interesit, simboli i gjyqtarit që nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mbarimin e mandatit të tij, është edhe simbol i persekutorit të regjimit komunist në sistemin e ri të drejtësisë.
Shkodranët e njohin mirë prokurorin e diktaturës Ardian Dvorani, por çdo qytetar tjetër ka të drejtë ta dijë se Ardian Dvorani është një shërbëtor i vjetër i Partisë së Punës sa herë ajo ka qenë në pushtet, në diktaturë dhe më demokraci,me emrin Partia Socialiste apo Rilindje!”, tha Ulqinaku.
Sipas saj, Ardian Dvorani ka qenë prokurori që 1 ditë, pas krijimit të partisë së parë opozitare në vend, pas 45 vitesh diktaturë, akuzoi për terrorizëm dhe kërkoi 15 vjet për shkodranët që rrëzuan bustin e Enver Hoxhës.
“Qytetarët që kanë vuajtur nga persekutimi i prokurorit politik të diktaturës, Ardian Dvorani, janë ende gjallë dhe janë dëshmi ulëritëse sesi Edi Rama po mban në sistem shërbëtorët e diktaturës më të egër në Europë. Ardian Dvorani është simbol i kalbjes së sistemit të drejtësisë në vend”, tha ajo. /atsh