Gjiri i Lalzit ka vite që ka zgjuar ëndrrat e politikanëve dhe pas tyre edhe të ministrave e deputetëve, për të ngritur atje çifligun e tyre, larg rrëmujës, streseve dhe shqetësimeve të turmës. Gjiri i Lalzit prej vitit 2001 është kthyer në pothuajse “zonë ushtarake”, ku jo vetëm qytetarët e thjeshtë nuk mund të lëvizin lirisht dhe ku të duan, por edhe pronarët që kanë mbi 300 vjet që banojnë në ato troje, nuk e gëzojnë më këtë të drejtë.
Gjiri Lalzit, natyrshëm dhe pa bujë, u kthye në këto vite, zona ku ngritën strehën e tyre politikanët e “pastrehë”, ata që ishin nga 4 apo 8 vjet ministra, që janë akoma kryetarë partish, ata që ishin për 4 mandate deputetë, ata që për 24 vjet gjenden ndoshta krejt rastësisht në politikë dhe shumë familjarë e miq të tyre. Të qenit pronar i një vile apo apartamenti pushimi në bregdet duket se është bërë një normë për ministrat dhe politikanët shqiptarë.
Vilë Në Gjirin E Lalëzit, “Trendi” I Krijuar Nga Argita Berisha Dhe Ilir Meta
Gjiri i Lalëzit është vend i pushimit edhe për vajzën e kryeministrit Berisha, Argita Berisha dhe familjen e saj. Në vitin 2006, ajo ka deklaruar se ka në pronësi një vilë me sipërfaqe 166 m2 në këtë zonë, e cila i ka kushtuar 56 mijë euro. Argita Berisha ka profesionin e juristes dhe në deklaratën e saj të përvitshme të pasurisë deklaron të ardhura të konsiderueshme./pamfleti