Loading...

Berisha u dha shtetësinë shqiptare 500 radikalëve islamikë, stërviteshin në Korçë. Bin Laden në Shqipëri për “kalifatin”, CIA pastroi vendin nga njerëzit e terrorit

Ish presidenti Berisha dhe ish kreu i SHIK Gazidede bashkëpunuan me kreun e terrorit për të ngritur celulat islamike në Shqipëri. Paratë që u hodhën në funksion të “Kalifatit Islamik” në mes të Europës dhe mbështetja që CIA dha pas ardhjes së PS në pushtet për dëbimin dhe dënimin e 87 radikalëve, 10 prej të cilëve me vdekje. Si Berisha zhduku arkivën e Presidencës më 1997

Sali Berisha punën e parë që bëri para se të largohej nga Presidenca në vitin 1997 ishte fshirja e të gjitha “gjurmëve” që mund të çonin tek abuzimet e gjithanshme të tij me postin e lartë në krye të shtetit. Duke mos ia përmendur më vjedhjen e të gjitha orendive dhe zbukurimeve të zyrës së tij në Presidencë, madje proverbiale ka qënë dhe marrja e karriges së kreut të shtetit, Sali Berisha kreu veprime të tjera jashtë të gjitha normave ligjore.

Ish Presidenti demokrat u kujdes që të zhdukë korrespondencën presidenciale, sidomos të periudhës së Piramidave, të tragjedisë së marsit 1997, urdhërave për të sulmuar Jugun e vendit, regjistrimet e takimeve me kreun e gjendjes së jashtëzakonshme më 1997, Bashkim Gazidede.

Por mes këtyre përkujdesjeve ishte dhe fshirja e tërë arkivës së faqes zyrtare të Presidencës, sidomos të dekreteve që konkludonin në dhënien e shtetësisë shqiptare për shtetasit e huaj.

Por “gjurma” ka mbetur, diku në një fakximile që e kanë marrë gazetat-rutinë të asaj kohe, diku dhe agjencitë e huaja të mediave, por kryesisht në ato ligjzbatuese të shërbimeve sekrete partnere. Të cilat i bënë publike sidomos pas vitit 1999 dhe mbi të gjitha pas vitit 2001 kur kullat Binjake në SHBA u përfshinë nga sulmi terrorist.

Mbi 80 përqind e të huajve që kishin marrë shtetësinë shqiptare ishin me preardhje nga vendet arabe, nga lindja por dhe Afganistani, Pakistani e vende të tjera, burim i njerëzve të terrorit.

Lajmin e ka dhënë herë pas here CIA amerikane, e cila ishte shumë e shqetësuar për ardhjen e radikalëve islamikë në Shqipëri dhe ngritjen e celulave radikale islamike që do të “derdheshin” më pas në Evropë për ta destabilizuar atë.

Dhe të mos kujtojë askush se Sali Berisha, presidenti i asaj kohe që vendoste fatet e Shqipërisë e bënte këtë se “ia kishte lënë amanet baba Kuvajtin dhe dashurinë për Islamin”, por e bënte vetëm për paratë që hidheshin me shumicë nga bijtë e terrorit.

Pasi babai i Berishës, Ram Berisha i ndjerë ka qënë një çoban shumë i mirë dhish si një pjesa e shqiptarëve të asaj kohe që jetonin në fshat. Ndërkohë që Berisha, pavarësisht se nënshkroi kontratë me sauditët për ndërtimin e një spitali tek ish fusha e aviacionit, as sot e kësaj dite kur kanë kaluar 24 vite, nuk ka madje as gjurmë themelesh.

Berisha përfitoi nga radikalët islamikë para të thata dhe dhurata të shumta, vetëm e vetëm që të merrnin shtetësinë prej tij dhe të strehoheshin në Shqipëri me pasaportë shqiptare, pavarësisht mbiemrave Saleh dhe Zavahiri apo mbiemra të tjerë që nuk ishin shqiptarë.

Ndërkohë që CIA shprehu më se njëherë shqetësimin se qeveria e ish Presidentit Berisha, më 1994, do të merrte dhe ndihmë ushtarake nga vendet islamike. Në një dokument të CIA-s përmenden qartësisht Irani dhe Libia, si vendet që Berisha i shikonte si më të mundshmet për t’iu drejtuar për ndihmë financiare. Por shqetësimi amerikan nuk kufizohet vetëm këtu.

Si i hapën Sali Berisha dhe Gazidede portat islamit radikal në Shqipëri

Sali Berisha ishte njeriu që hapi portat për radikalët islamikë, të cilët u ulën “këmbëkryq” në Shqipëri, dhe ku një rol të madh në këtë drejtim luajti njeriu më besnik i tij, ish kreu i ndjerë tashmë i SHIK-ut, Bashkim Gazidede.

Gazidede që kishte në dorë shërbimin sekret në Shqipëri në atë kohë ishte një mysliman shumë i devotshëm dhe praktikant, madje ishte dhe kreu i Intelektualëve Islamikë Shqiptarë, bëri të pamundurën që të krijonte këto celula të islamit radikal në Shqipëri.

Të cilët derdhnin shuma të mëdha për ndërtimin e objekteve të kultit, dhe ku të gjithë shqiptarët në atë kohë mbajnë mend xhamitë e vogla thuajse “parafabrikate” që kishin mbirë anës akseve kombëtare por dhe në fshatrat më të thella në Shqipëri.

Në prill të vitit 1992, në të njëjtën kohë kur qeveria u përmbys në Afganistan dhe erdhën Talebanët në pushtet, një delegacion kuvajtian erdhi në Tiranë për të shpalosur një plan investimesh ekonomike në këmbim të lejimit të ndërtimit të xhamive. Të cilat u ndërtuan pothuajse në kohë rekord.

Kohë më vonë, një delegacion i nivelit të lartë i Bankës Islamike për Zhvillim, i drejtuar nga Ahmed Mohammad, ofroi investime të ndjeshme bankare për bujqësinë, transportin, trajnimin në gjuhën arabe, dhe mundësi për shqiptarët e rinj për të studiuar në shtetet islamike.

Pasi e bëri Shqipërinë anëtarën e parë evropiane të Organizatës së Konferencës Islamike më 1992, vendim që nuk u kalua asnjëherë nga Kuvendi lëre të ishin pyetur shqiptarët, presidenti i asaj kohe Sali Berisha nisi të kontaktonte me zyrtarë të ndryshëm arabë.

Një infrastrukturë e re arsimore dhe klerikale u zhvillua me të shpejtë në Shqipëri falë dhurimeve kryesisht saudite, shoqata “Lehtësimi Islamik” kishte arritur në përfundimin fatal se shqiptarët ishin si ‘një sfungjer i thatë, i gatshëm për të thithur gjithçka u jepej”.

Fundja kishin të drejtë, pasi për këtë qëllim po punonin Presidenti i parë jokomunist pas 45 viteve diktaturë dhe izolim total Sali Berisha dhe kreu i shërbimit sekret Bashkim Gazidede.

Po më 1994, ish presidenti Berisha siguroi një prani të fortë islamike në sektorin e brishtë bankar të Shqipërisë me arritjen e Bankës Islamike arabo-shqiptare, para bankave të Perëndimore.

Që asokohe kishte dyshime të forta se Osama bin Ladeni, kreu i terrorizmit botëror në ato vite,  ishte themelues i kësaj banke. Madje deklarohej dhe se ka ardhur disa herë në Shqipëri, në përbërje të një delegacioni biznesmenës sauditë, të cilët premtuan dhe një spital në afërsi të ish fushës së Aviacionit.

Banka Islamike arabo-shqiptare mbikëqyri ndërtimin e qindra xhamive, dhënien e bursave në universitetet islamike jashtë, dhe u jepte para në dorë shqiptarëve në nevojë me kushtin që femrat të pranonin bartjen e mbulesës.

Propaganda vahabiste u bë shumë dominuese në këtë periudhë. Berisha dhe Gazidede punuan shumë për ndërtimin e një “Kalifati Islamik” në mes të Europës, gjë që dështoi falë partnerëve tanë strategjikë, SHBA por dhe të BE.

Ndërkohë që investimet islamike filluan në masë madje dhe me personalizime, aq sa dhe disa prej tyre u viheshin emrat e Saleh Berishës, presioni amerikan ishte gjithnjë e në rritje që solli zhbërjen e këtyre celulave dhe pastrimin e Shqipërisë nga rreziku i radikalëve islamikë.

SHBA, 19 shtator 2005: Terrorist i Bin Laden me shtetësi shqiptare, firmosur nga Berisha

Në shtator të vitit 2005 Departamenti Amerikan i Thesarit identifikoi një tjetër person të lidhur me terrorizmin, sidomos me rrjetin terrorist të bin Laden Al Qaida.

Kësaj radhe e veçanta qëndron në faktin se i identifikuari i radhës isht një person që ka ushtruar aktivitetin e tij kriminal në Shqipëri. Abdyl Latif Saleh, njohje e vjetër e Jasin Kadi, menaxher i bizneseve të tij kishte ngritur në Tiranë një grup të Xhihadit Islamik.

Ai është mbështetur financiarisht nga Osama bin Landen për të ngritur një bazë të besueshme në Tiranë. Pikërisht kjo bazë ka funksionuar më pas si lidhje me një rrjet të gjerë shoqatash joqeveritare të financuara nga Al Qaida edhe në Shqipëri. Njëherësh edhe si pritje-përcjellje e individëve përbërës të grupeve terroriste ndërkombëtare.

Fakti i ri i tmerrshëm konfirmon se Abdyl Latif Saleh nuk gëzonte vetëm shtetësinë jordaneze, por në të gjithë botën qarkullon edhe përmes shtetësisë shqiptare të fituar në Tiranë. Kohë më parë, dhe ish ambasadori amerikan në Tiranë i ndjeri Jozef Limpreht kishte konfirmuar se SHBA u shqetësua shumë në mes të viteve ’90-të kur një seri njerëzish të identifikuar si anëtarë të rrjeteve islamike të terrorit, u pajisën me nënshtetësi shqiptare në Tiranë.

Identifikimi i Departamentit Amerikan të Thesarit jep edhe provën e parë zyrtare të këtij akti të tmerrshëm e të turpshëm që autoritetet e Tiranës zyrtare të drejtuar nga Sali Berisha ndërmorën në vitet ’95-’96, duke e kthyer kryeqytetin e Shqipërisë në një shtet të dytë për një sërë rrjetesh terroriste.

Sali Berisha, asokohe Presidenti dhe në momentin kur u deklarua më 2005 shtetësia shqiptare e terroristit tjetër të Bin Laden ishte kryeministër, sipas Kushtetutës ka qënë njeriu që ka patur atributin e vetëm për dhënien e shtetësisë shqiptare, nën cilësinë e Presidentit në atë periudhë. Mbi të rëndon një tjetër vepër kriminale që rezulton si shërbim apo shërbesa ndaj individëve, grupeve apo rrjeteve terroriste të Osama bin Laden.

Njoftim i Departamentit Amerikan të Thesarit:

Departamenti Amerikan i Thesarit identifikoi Dr.Abdul Latif Saleh sipas urdherit ekzekutiv 13224 pasi ka suportuar Osama Bin Laden dhe Al Qaida. Saleh ka lidhje të shumëfishta me Al Qaida duke përfshirë fondacionin Al Haramain dhe Jasin Kadi e Osama Bin Laden. Këtë e tha dje Stuart Levey Nënsekretar I Departamentit të Thesarit për Terrorizmin dhe Informacionin Financiar.

Ai është identifikuar si person që ka ndihmuar terrorizmin dhe siguron që ai nuk do të operojë më …. Saleh është i lidhur ngushtë me Osama bin Laden dhe është përzënë nga Shqipëria me dyshimin që ai ishte anëtar i një grupi të Xhihadit Islamik. Bin Landen i dha Saleh 600 mijë dollarë me qëllim inkurajimin dhe krijimin e grupeve islamike në Shqipëri.

Për më tepër, Saleh është i lidhur ngushtë me një numër organizatash joqeveritare në Shqipëri me lidhje Xhihadin Islamik Egjiptian, e cila është një organizatë terroriste e lidhur me Al Qaida.

Saleh krijoi dhe bëri aktive një organizatë xhihadiste shqiptare që u financua nga fondacioni Al Haramain, një organizatë joqeveritare e lidhur me Al Qaida.Misioni i grupit xhihadist shqiptar ishte që të destabilizonte situatën e brendshme në Shqipëri duke nxitur konfliktin mes religjioneve të ndryshme fetare në vend. Al Haramain rekrutoi anëtarë nga kjo organizatë të cilët Saleh i ka ndihmuar drejtpërsëdrejti.

Saleh është gjithashtu i lidhur me Jasin Kadi, i cili është i njohur si një terrorist global nga Departamenti Amerikan i Thesarit në Tetor 2001. Kadi ishte i njohur si shumë aktiv dhe një mbështetës financiar për grupin xhihadist të Saleh. Saleh dhe Kadi hyjnë në biznese të ndryshme të përbashkëta, duke përfshirë këtu importin e sheqerit, sipërmarrje mjekësore dhe shoqëri ndërtimesh. Saleh shërbeu dhe si menaxher i përgjithshëm i biznesit të Jasin Kadi në Shqipëri dhe thuhet që disponon 10% të aksioneve që Kadi ka në Shqipëri.

Në vitin 1998 gjashtë individë u arrestuan në Shqipëri, dy prej të cilëve u gjykuan dhe u ekzekutuan në Egjipt si pjesëmarrës në sulme terroriste. Në dëshminë e tyre këta persona thanë se ishte Saleh ai që i ndihmoi të vinin në Shqipëri. Saleh u identifikua “si personi që i ndihmoi ata në çdo aspekt duke nisur që nga pritja në aeroportin e Rinasit”.

SHBA po ndërmarrin sot nje sulm duke u bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB 1617, e cila i kërkon shteteve pjesëmarrëse të bllokojnë financat e individëve ose grupeve me lidhje terroriste me talebanët në Afganistan, Al Qaida-n, UBL.

Nju Jork Times: U dënuan 87 vetë me shtetësi shqiptare, 10 prej tyre me vdekje

Mediat amerikane në atë kohë i atribuonin Sali Berishës veprën e mbushjes së Shqipërisë me radikalë islamikë, ku vetëm pas ardhjes në pushtet të PS u mundësua arrestimi dhe dënimi i tyre, falë dhe bashkëpunimit të CIA-s me SHISH-in të drejtuar nga Fatos Klosi.

Le të citojme disa paragrafe të artikullit të Nju York Times: Shtrirja e rrjetit të Xhihad-it pasqyrohet nga vendet ku u arrestuan 107 të pandehurit e gjyqit të 1999-ës- Shqipëri, Bullgari, Azerbaixhan, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipt. Ky ishte gjyqi më i madh kundër terroristëve që nga gjyqi i anëtarëve të Xhihad-it më 1981 për vrasjen e Sadat-it, ish presidentit egjiptian.

Në çfare u bë e njohur këtu si gjyqi i të kthyerve nga Shqipëria, gjykata dënoi 87 vetë dhe dënoi me vdekje 10 prej tyre, përfshirë Dr. Zavahiri, që u gjykua në mungesë. Rrjeti kishte llogari bankare në shumë vende -Angli, Gjermani, Poloni dhe Shqipëri; Zoti Naggar, anëtar i Xhihadit, e lidhte Bin Ladenin direkt me rrjetin në Shqipëri.

Berisha takoi Bin Laden në Tiranë, ngritën celulat e para të islamit radikal në Shqipëri

Sali Berisha është takuar dhe ka bashkëpunuar në Tiranë me terroristin më famëkeq të të gjitha kohërave, Osama Bin Laden, armikun më të përbetuar dhe më të rrezikshëm të SHBA.

Nuk kemi të bëjmë me një akuzë ditore politike, por me dokumente të CIA dhe agjencive inteligjente, për veprimtarinë e Osama Bin Laden. Në veprimtarinë e terroristit shfaqet edhe Sali Berisha, i cili sipas dokumenteve ka bashkëpunuar me Osama Bin Laden në Tiranë, për të ngritur celulat e para në Shqipëri.

Dokumentet janë bërë publike nga një sërë portalesh dhe mediash prestigjioze dhe investigative, si “Qendra për Paqe në Ballkan”, “Historycommons”, apo dhe revista e inteligjencës “Jane”, të cilat u janë referuar dhe raportimeve të mediave të kohës dhe dokumenteve të Interpolit.

Duke ju referuar informacioneve të dhëna nga një agjent i CIA-s, raportohet se në 9 prill të vitit 1994 Bin Laden ka udhëtuar në Shqipëri, si pjesë e një delegacioni të qeverisë saudite dhe është takuar me zyrtarët e qeverisë vendase.

“Bin Laden vizitoi Shqipërinë si anëtar i delegacionit të qeverisë së Arabisë Saudite dhe u takua me zyrtarët e qeverisë vendase. Ai e prezantoi veten si mik të qeverisë së Arabisë Saudite dhe se mund të financonte projekte humanitare.

Megjithatë, qeveria e Arabisë Saudite, më herët, po atë muaj kishte ndërprerë të gjitha lidhjet me Bin Laden. Një ish-oficer i zbulimit amerikan do të ankohej në vitin 1999: ‘Pse ishte ai një anëtar i atij delegacionit? Sauditët supozohej të ishin aleatët tanë. Ata na thanë se ai ishte person non grata, por këtu ai ishte në një vizitë zyrtare’”, thuhet në dokument, për të cilin ka raportuar dhe “Uashington Times” në vitin 2001.

Ndërsa medias prestigjioze kanadeze, “Ottava Citizen” ka raportuar se CIA dhe Interpoli ishin në vëzhgim të vazhdueshëm të aktiviteteve të Al-Kaedës në Shqipëri. Edhe ajo dhe mediat greke kanë deklaruar se Bin Laden vizitoi Tiranën.

Mediat ndërkombëtare, të cilat ju referohen informacioneve të agjencive të inteligjencës, por edhe raportimeve të kohës, kanë raportuar se që nga viti 1994 e deri më 1999 ka pasur një bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë shqiptare dhe Bin Laden e grupit të tij, me qëllim ngritjen e celulave terroriste në vendin tonë.

“Në vitin 1994 kryeministri shqiptar Sali Berisha ndihmoi Bin Laden pas vizitës së tij në Shqipëri, për të ngritur një rrjet në Shqipëri përmes fondeve te bamirësisë të Arabisë Saudite”, raportoi “Qendra për Paqe në Ballkan”.

Sipas saj, pas marrjes së pushtetit nga PS, pati një bashkëpunim të ngushtë me CIA–n dhe amerikanët, të cilët dhanë kontributin e tyre për shkatërrimin e këtyre celulave.

Duke ju referuar dokumenteve të vetë CIA, raportohet se gjatë vitit 1998 amerikanët për shkak të informacioneve që dispononin për ekzistencën e këtyre celulave rritën ndjeshëm sigurinë në ambasadë dhe tërhoqën një pjesë të madhe të personelit.

Më tej është theksuar se Al-Kaeda dhe Bin Laden kishin arritur të formonin një grup prej 500 muxhahedinësh, të cilët për shumë muaj u stërvitën në juglindje të Shqipërisë, kryesisht në zona të Korçës dhe të Pogradecit.

Mediat serbe në atë kohë i trembeshin faktit se këta muxhahedinë mund të përdoreshin për luftën e Kosovës. Po ashtu është theksuar se ka pasur lidhje të ngushta mes shërbimit sekret shqiptar dhe Al- Qaeda-s.

Sali Berisha që sot nuk pushon së postuari mesazhe se nuk po bëhet asgjë transperente, vetë kur ishte President i vendit jo vetëm që na anëtarësoi në Konferencën Islamike pa marrë mendimin e qytetarëve, por na instaloi në Shqipëri dhe kreun e terrorit, Osama Bin Laden./Pamfleti

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com