Parku kombëtar i “Malit të Tomorit” do të ketë një sipërfaqe edhe më të madhe pasi Këshilli i Ministrave vendosi që të zgjerojë sipërfaqen e këtij parku me një sipërfaqe prej 1383.0758 (një mijë e treqind e tetëdhjetë e tre pikë zero shtatëqind e pesëdhjetë e tetë) ha.
Pas ndryshimeve sipërfaqja totale e parkut kombëtar të “Malit të Tomorit” do të ketë në total një sipërfaqe prej 26106.1758 (njëzet e gjashtë mijë e njëqind e gjashtë pikë një mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e tetë) ha.
VENDIMI I PLOTË
V E N D I M
PËR
ZGJERIMIN E SIPËRFAQES SË PARKUT KOMBËTAR “MALI I TOMORIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 36, të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Zgjerimin e sipërfaqes së parkut kombëtar “Mali i Tomorit”, me një sipërfaqe prej 1383.0758 (një mijë e treqind e tetëdhjetë e tre pikë zero shtatëqind e pesëdhjetë e tetë) ha, sipas hartës dhe kufijve të paraqitur në tabelën e koordinatave, përkatësisht në shtojcat 1 e 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
- Nga ky zgjerim, kufiri i parkut kombëtar “Mali i Tomorit” do të ketë një sipërfaqe prej 26106.1758 (njëzet e gjashtë mijë e njëqind e gjashtë pikë një mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e tetë) ha.
- Zona e zgjerimit të parkut përfshin zona bujqësore dhe pyjore, shkurre dhe kullota. Mbulesa e tokës brenda shtesës së sipërfaqes së parkut kombëtar “Mali i Tomorit” jepet në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
- Sipas zonimit, zona shtesë bën pjesë në zonën e përdorimit tradicional (ZPT), ku zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes.
- Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me ministritë e tjera të linjës dhe me njësitë e qeverisjes vendore, me institucionet kërkimore-shkencore, me përfaqësuesit e biznesit e të pronarëve privatë, organizata të shoqërisë civile, brenda 1 (një) viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, hartojnë planin shtesë të menaxhimit të sipërfaqes së zgjeruar, si pjesë e planit të menaxhimit të parkut kombëtar, i cili miratohet nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura mjedisore.
- Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura të Qarkut Berat kryen funksionet e administratës së parkut kombëtar “Mali i Tomorit”.
- Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe organet përkatëse të qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /atsh