Këshilli i Ministrave miratoi sot një sërë vendimesh të rëndësishme.
Një nga vendimet e publikuara sot në faqen zyrtare lidhet me disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 187, datë 8.3.2017, mbi miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve civilë/nëpunësve, zv/ministrit dhe nëpunësve të kabineteve, në Kryeministri, aparatet e ministrive të linjës, administratës së Presidentit, Kuvendit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, disa institucione të pavarura, institucione në varësi të Kryeministrit dhe institucione në varësi të ministrive të linjës dhe administratës së prefektit.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të ligjit nr. 9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi që në vendimin nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen shtesat dhe ndryshimet.
– shtohet emërtesa “Instituti i Statistikave”.
– shtohet emërtesa “Sekretariati teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar”
– shfuqizohet emërtesa “Instituti i Statistikave”.
– emërtesa “Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve” zëvendësohet me emërtesën “Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve”.
– emërtesa “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave” zëvendësohet me emërtesën “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit”.
– emërtesa “Koordinator në Institutin e Statistikave (INSTAT)” shfuqizohet.
– Lidhja nr. 5/1, që përmendet në pikën 8/1, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe titull që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
– Pas pikës 8/8 shtohet pika 8/9, me këtë përmbajtje:
– Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Drejtor ekzekutiv”, në sekretariatin teknik të Këshillit Ekonomik Kombëtar”, janë sipas lidhjes nr.5/9, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”.
– Në lidhjen nr.6/3, që përmendet në pikën 9/3, në kolonën “Pozicioni”, pas emërtesës “Drejtor drejtorie” shtohet emërtesa “Koordinator – kategoria III-a”.
– Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Titullar institucioni” (punonjësit civilë) në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Komandën dhe Shtabin e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, si dhe Qendrën Kombëtare të Kërkim Shpëtimit, janë sipas lidhjes 6/6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij”.
– Titulli i lidhjes 6/6, që përmendet në pikën 9/6, ndryshohet. Kështu, kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Titullar institucioni” (punonjësit civilë) në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Komandën dhe Shtabin e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, si dhe Qendrën Kombëtare të Kërkim Shpëtimit”.
Pika 10/4 ndryshohet. Kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Titullar institucioni” (punonjës civilë) në Komandën dhe Shtabin e Forcës Tokësore, Komandën dhe Shtabin Forcës Detare, Komandën dhe Shtabin e Forcës Ajrore, Komandën dhe Shtabin e Komandës Mbështetëse, Institutin e Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake, Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura, Qendrën e Personel Rekrutimit, Agjencinë e Sistemeve të Ndërlidhjes dhe Informacionit, Qendrën e Doktrinës dhe Kërkimit në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, Qendrën e Stërvitjes Individuale në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, Qendrën e Riparimit dhe Mirëmbajtjes së Teknikës së Forcave të Armatosura në Komandën Mbështetëse, si dhe për punonjësit civilë jomësimorë në Akademinë e Forcave të Armatosura, Akademinë e Nënoficerëve dhe Shkollën e Trupës, janë sipas lidhjes nr.7/4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
– Përjashtimit për vitin 2018, nëpunësit aktualë të njësive të teknologjisë së informacionit të institucioneve të administratës shtetërore, që do të transferohen në përbërje të strukturës dhe të organikës së AKSHI-t gjatë këtij viti, do të vazhdojnë të përfitojnë të njëjtën pagë mujore me atë që përfitonin përpara transferimit pranë AKSHI-t.
– Për vitin 2019 e në vazhdim, nëpunësit aktualë të njësive të teknologjisë së informacionit të institucioneve të administratës shtetërore, të cilët deri në momentin e transferimit në përbërje të strukturës dhe të organikës së AKSHI-t përfitonin një pagë më të lartë se paga sipas lidhjes 5/1 (përfshirë edhe nëpunësit e transferuar gjatë periudhës qershor-dhjetor 2018), do të vazhdojnë të përfitojnë të njëjtën pagë mujore me atë që përfitonin përpara transferimit pranë AKSHI-t, deri në momentin e ndërprerjes së marrëdhënies juridiko-financiare me këtë institucion.
Në vendim thuhet se efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion për vitin 2018, për INSTAT-in, Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit dhe Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturën e Mbetjeve, të fillojnë nga momenti i transferimit të nëpunësve në pozicionet e reja pas miratimit të strukturave dhe organikave përkatëse. Ndërsa për sekretariatin teknik e Këshillit Ekonomik Kombëtar si dhe për përcaktimet në shkronjat “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g” dhe “h”, të pikës 1, të këtij vendimi, të fillojnë pas hyrjes në fuqi të vendimit.
Vendimi i Këshillit të Ministrave ngarkon institucionet e administratës shtetërore ku janë të punësuar nëpunësve që do të transferohen gjatë vitit 2018 tek AKSHI-i, ta njoftojnë këtë të fundit për kategorinë e pagës dhe pagesën aktuale të këtyre nëpunësve. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./atsh