Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaron se “e gjithë propaganda qeveritare për suksesin imagjinar të Reformës në Drejtësi nuk është gjë tjetër veçse këmbana e alarmit për kufomën e drejtësisë shqiptare, që Edi Rama dhe një grusht ndërkombëtarësh na bënë peshqesh në vend të një reforme që do të përmirësonte sistemin”.
Në një deklaratë për shtyp, Kryemadhi thekson se “ajo që duhej të ishte një betejë parimore për sistemin e drejtësisë u shndërrua në betejë personale me emra të përveçëm, që as më pak e as më shumë kishin prishur pazaret e qeveritarëve dhe jo vetëm”.
“Shqipëria është vend sovran dhe si e tillë fatet e vendit i kanë në dorë vetë shqiptarët. Në rastin më të mirë të huajt i mirëpresim të na ndihmojnë, por jo te bëhen patericë e qeverisë së krimit e drogës. Që është pjesë e çdo raporti ndërkombëtar për zullumet e veta, por që çuditërisht vetëm disa të huaj që janë këtu nuk i lexojnë këto raporte”, shprehet ajo.
Kryemadhi shton më tej se “asnjë reformë e blerë dhe e shitur me paratë e drogës, asnjë kullë e re apo e vjetër e ndërtuar me këto para nuk do mund të blejë kurrë besimin e shqiptarëve, se ky vend meriton më shumë se një reformë që gatuhet me helmin e krimit dhe që na shitet si betejë parimore e atyre që moralin e vetëm e kanë tek lidhjet e ngushta me kryeministrin dhe banditët e tij”./atsh