Në bazën detare të Kepit të Palit (Durrës) Ministria e Mbrojtjes dhe FA organizuan ekspozimin e kapaciteteve për Emergjencat Civile.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në fjalën e saj shprehu solidaritetin me popullin grek. “Po e nis këtë fjalë me një solidarizim me popullin grek, për fatkeqësinë e shkaktuar nga zjarret masive. Bashkohemi me dhembjen e familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur dhe lutemi për ta”, tha ajo.
“Të gjithë kemi përjetuar me keqardhje dhe jemi tronditur me atë çfarë është duke ndodhur në shtetin tonë fqinj, me skenat apokaliptike të zjarreve, të cilët, vetëm në pak minuta kanë marrë jetë njerëzish dhe kanë kthyer disa fshatra në shkretëtirë”, theksoi Xhaçka.
“Qeveria e Republikës së Shqipërisë i gjendet afër qeverisë dhe popullit grek në këto momente të vështira dhe ne ndajnë me ta dhimbjen për humbjet njerëzore. Qeveria jonë ka marrë vendimin për të akorduar një ndihmë financiare për qeverinë e Greqisë”, tha ministrja.
Me këtë rast, Xhaçka tha se “do të doja të siguroja kolegun tim, Ministrin e Mbrojtjes, Panos Kammenos, që Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë të gatshme t’ju ofrojnë ndihmën e tyre kolegëve fqinj, nëse kjo gjykohet e nevojshme. Urojmë që situata të vendoset sa më shpejt nën kontroll”
“Kjo është një nga ato ngjarje që na bën të reflektojmë për rëndësinë që kanë ndërtimi i kapaciteteve dhe gatishmëria për tu përballur me fatkeqësi të kësaj natyre. Është një moment që secili prej nesh duhet të nxjerrë mësime dhe të marrë përsipër përgjegjësitë institucionale dhe qytetare”, deklaroi ministrja/.atsh