Arrestohen tre doganierë për “shpërdorim detyre” si edhe tre shtetas të tjerë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”.
Policia e Korçës, në vijim të punës për goditjen e rasteve të paligjshmërisë, nga specialistët e Sektorit për Krimin Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: Floben Guxho, 46 vjeç, banues në Tiranë. Klodian Nastimi, 34 vjeç, banues në Devoll. Rernato Molla, 33 vjeç, banues në Pogradec, (të tre me detyrë doganier në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë). Kristi Meslani, 23 vjeç, banues në Devoll. Rezart Shega, 29 vjeç, banues në Devoll. Mario Berberi, 26 vjeç, banues në Devoll.
Arrestimi i tyre u bë pasi, në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Dishnicë, nga shërbimet e Policisë, janë kapur në flagrancë shtetasit Kristi Meslani dhe Rezart Shega të cilët drejtonin mjetet me targa AA 170 UF dhe AA 226 GH, duke transportuar një sasi të konsiderueshme me pije energjike dhe pije të tjera, të dyshuara si kontrabandë të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndërsa shtetasi Mario Berberi, dyshohet të jetë porositësi i këtij malli.
Nga verifikimet e kryera, rezulton se këto mjete kanë kaluar nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, ku dyshohet se nuk i janë nënshtruar procesit përkatës të kontrollit doganor.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë bazuar në nenet 248, 172, 174 të Kodit Penal. /atsh