Të tjera fakte dalin në dritë për grabitësen Anna Malaj, e cila bëri emër ditët e fundit në opinion për zanatin e rrallë që i kishte gjetur vetes. Më e rëndë dhe më e çuditshme bëhet ngjarja duke pasur parasysh se ajo ishte nënë me dy fëmijë.
Roli i saj si lidere e bandës së grabitësve të karburanteve përfocohet nga deklarata e fundit e nënës së të arrestuarit tjetër, Emiljano Grembit, e cila akuzon mbesën se ia ka marrë në qafë të birin.
“Djalin ma mori në qafë mbesa”, tha Fetie Grembi. “Djali im është i pafajshëm. E ka marrë në qafë Anna. E kam nxjerrë disa herë nga shtëpia mbesën. Nuk më pëlqente çfarë bënte”. Fetija ka treguar se Anna ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë dhe ka jetuar edhe në Gjermani.
Pritet të jepet masa e sigurisë nga Gjykata e Fierit për Anna Malajn dhe kushëririn e saj Emiljano Grembi, 22 vjeç. Dy të rinjtë akuzohen për grabitjen e tre karburanteve në Fier e Mallakastër me dy akuza: “Vjedhje me armë” në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.