AMILJA VLORA është nga ato të rrallat fare, do të thoshte Prof.Dr.Isuf Luzaj; edhe unë jam i predispozuar të mbështetem në fjalën e Professorit, i cili i ka njohur plotësishtë shumicën e Familjeve të Mëdha Shqiptare…
Eqerem bej Vlora, e ka quajtur Ismail Qemalin“yll i fisit të Vlorajve”. Familja Vlora, me origjinë nga Kanina e Vlorës, për shekuj me radhë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë dhe veçanërisht të Labërisë dhe të Vlorës. Kjo familje ka mbajtur ofiqin më të lartë të Sanxhakbeut të Vlorës, mëkëmbësit të Sulltanit, për afro 350 vjet, që nga viti 1481 deri në vitin 1828, jo vetëm “de jure”, por edhe “de facto”.
Edhe pas vitit 1828, kjo familje vazhdoi të ushtrojë ndikim të madh në historinë e Shqipërisë, veçanërisht në krahinën e Labërisë. Më 28 nëntor 1912, është po kjo familje që i dha historisë Ismail Qemal Vlorën, Atin e Kombit tonë, njeriun që krijoi Shtetin e Pavarur Shqiptar, pas 500 vjet robërie. Si themelues i kësaj familje, njihet Sinan Pashë Vlora, (1455 – 1505).Më 1481, ai ishte admiral i Madh dhe Kapedan i deteve, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane.
Sipas Ismail Qemalit “Familja jonë, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë e pushtet, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim shumë të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Për mëse katër shekuj familja jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapshtitë, tirania dhe tekat e sundimtarëve absolut osmanë”.
Rrallë ndodh në histori që kur shkruhet për ndonjë figurë historike të përmendet pak ose aspak familja e tij. Përkundrazi, historianët «gërmojnë» edhe në skutat më të thella për të hedhur dritë mbi paraardhësit dhe pasardhësit e një figure historike. Me Ismail Qemalin historiografia jonë veproi ndryshe.
BREZAT E FUNDIT TË FAMILJES VLORA MUSTAFA PASHË VLORA (1824-1885), vali i Bullgarisë Veriore dhe i Kretës. Një figurë e shquar e familjes Vlora, gjyshi Eqerem bej Vlorës, një nga eksponentët kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, anëtar i Komitetit të Fshehtë të Janinës dhe i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, i njohur me emrin “Komiteti i Stambolli”. Ka qenë po ashtu anëtar i delegacionit që do të paraqiste dhe mbronte përpara Portës së Lartë rezolutën e nënshkruar nga Kuvendi i Dibrës, 1 nëntor 1878, e cila përmbante po ato kërkesa që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit.
Mustafa Pashë Vlora ka vepruar për Lidhjen e Prizrenit edhe si kryetar i degës saj në Vlorë. Pas shtypjes se Lidhjes u arrestua dhe u internua ne Çarmakala, ku u mbajt në një kështjellë për tre vjet i mbyllur. Mustafa Pashë Vlora pati tre djem: Ferit Pashë Vlora ( 1852 – 1914), vali i famshëm i Konjës. Ministër i brendshëm i Perandorisë Osmane. Nga viti 1903 deri 1908, ish kryeministër pranë Sulltan Abdyl Hamitit, 16 vjet anëtar i Zyrës Diktimit. Më 23 korrik 1908 u pushua nga posti i kryeministrit, po Sulltani e mbrojti duke e emëruar kryetar të Senatit.
Ferit Pashë Vlora pati dy djem: – Nuredin bej Vlorën ish Kryetar i Bashkisë Vlorë, edhe – Riaz bej Vlorën. Vlorajt, pa përjashtim mbajtën një qëndrim të prerë kundër regjimit totalitar. Përveç burgjeve që ata provuan, siç tregojmë më poshtë, midis Vlorajve kemi edhe një martir, dhe ky është Riaz bej Vlora, i cili vdiq nga torturat, gjatë hetuesisë, në gusht të vitit 1948.
Pra familja Vlora, megjithëse zë një vend shumë të rëndësishëm për prezencën e saj në historinë e Shqipërisë, për shekuj me radhë në shërbim të interesave të atdheut, ajo u persekutua egërsisht prej regjimit komunist. Neshet Pashë Vlora, ishte kryembikqyrës i pasurive të kurorës dhe në Stamboll ishte këshilltar shtetëror. Kryesonte pleqësitë e fshatrave të Mesaplikut për mosmarrëveshjet e ndryshme që kishin. Në vitin 1930, ai rindërtoi një xhami në lagjen Muradie të Vlorës, që është edhe sot, atje varrosi gruan dhe djalin e tij të vetëm Servetin që vdiq në moshën 19 vjeçare dhe në fund u varros edhe vetë në këtë xhami. Nesheti ishte martuar me Zehranë, motrën e Esat pashë Toptanit. Motrën tjetër të Esatit e kishte marrë për grua Syrja bej Vlora vëllai i Neshtetit, pra dy vëllezërit kishin marrë për gra dy motra.
Syrja bej Vlora (1860 – 1940), drejtor i doganave osmane, deputet i parlamentit turk, pas vitit 1908, ambasador i Shqipërisë në Vjenë në vitin 1914.Bashkëshortja e tij ishte motra e Esat Pashë Toptanit, me të cilin nuk pati asnjëherë marrëdhënie normale. Eqeremi thotë për të atin: “Ishte një gjeni i vërtetë në fushën ekonomike dhe administrimit të pronave të familjes”.
Syrjaji pati dy djem dhe tre vajza: — Eqerem bej Vlora (1885 – 1964). Me vendim të qeverisë shqiptare më 31 mars 2014, eshtrat e Eqerem bej Vlorës u sollën nga Vjena në Shqipëri dhe sipas amanetit të tij u varrosën në Kaninë. Pati reagime në shtyp duke thënë se nuk mund të rehabilitohen kolaboracionistët. — Safa bej Vlora (1900 – ? ) — Vajzat: Nexhati, Fezileti dhe Suadi. Kjo e fundit ishte martuar me gjeneralin turk Fuad Suad pashën. ISMAIL BEJ VLORA Ismail bej Vlora, Është gjyshi i Ismail Qemalit. Ai pati tre djem: Mahmut bej Vlora, babai i Ismail Qemalit, Selim Pashë Vlorën dhe Beqir bej Vlorën.