Hyrjet e qytetarëve të huaj që vijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet ka shënuar një rritje neto prej 23.9% në muajin qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan portali italian albanianews.it.
Sipas statistikave të Institutit të Statistikave (Instat), në fakt, janë rreth 500 000 të huaj që kanë mbërritur në Shqipëri në fillim të muajit të verës.
Më shumë se gjysma e tyre kanë deklaruar në kufirin shqiptar se do të kalojnë pushimet.
Maqedonasit (+ 58,3%) dhe polakët (+ 16,9%) janë ata që kanë regjistruar rritjen më të madhe.
Nga ana tjetër, qytetarët anglezë (-10,9%) dhe ata zvicerane (-7,9%) janë ata që kanë bërë regjistrimin më të ulët në krahasim me vizitorët e ardhur në Shqipëri.
Nëse konsiderohet se në gjysmën e parë të vitit 2018, numri total i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri ishte rreth 1,9 milionë, kjo do të thotë një rritje prej 9,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ajo që bie lehtësisht në sy (-0,4%) është rënia e numrit të qytetarëve kosovarë, duke u zëvendësuar nga turistë të vendeve të tjera si SHBA dhe vendet e Europës.
Turizmi: strategjia e re për vitet 2018-2022
Strategjia e re për turizmin e publikuar nga Ministria shqiptare e Turizmit dhe Ambientit, në fillim të këtij viti, tregon se si objektivat kryesorë për këtë vit dhe për katër vitet e ardhshme do të jenë rritja e kontributit të turizmit në PBB, zhvillimi i ofertës turistike dhe të shërbimeve, rritja e numrit të punonjësve në këtë sektor, përmirësimi i cilësisë së jetesës dhe zbutja e varfërisë në zonat turistike të të gjithë territorit si edhe rritja e investimeve publike në turizëm, rritja e të ardhurave nga aktivitetet dhe shërbimet turistike dhe garancitë e mbrojtjes ligjore dhe institucionale të të drejtave të udhëtarëve dhe vizitorëve.
Gjithashtu, rritja e numrit të turistëve do të kërkojë edhe më shumë struktura hotelerie.
Për këtë arsye, qeveria ka ofruar disa incentiva për ndërtimin e tyre, veçanërisht për ato me nga katër ose pesë yje, si masa për përballimin e fluksit turistik në rritje. Janë parashikuar më së paku pesë resorte të reja nga 4 apo 5 yje brenda vitit 2022./atsh