Loading...

FOKUS – Europa mes zjarreve dhe valës së të nxehtit

Dhjetëra zjarre vijuan edhe sot në Greqi si dhe në disa vende të Europës së Veriut, ndërkohë që një pjesë e madhe e kontinentit është përfshirë nga vala e të nxehtit.

Greqia është vendi më i prekur, me zjarret më të përgjakshme që prej një dekade. Të paktën 74 persona kanë humbur jetën, 50 prej të cilëve vetëm në qytezën turistike të Matit, jo shumë larg Athinës, që u shkatërrua nga flakët.

“Trupat e 26 personave, të cilët kishin tentuar të futeshin në det, janë gjetur të bllokuar nga flakët. Më shumë se 160 persona janë plagosur gjithashtu nga zjarret”, sipas bilancit zyrtar.

Në Suedi, numri i zjarreve duket se po stabilizohet në rreth 20, që kanë djegur deri tani 25 000 hektarë pyje, por autoritetet kanë paralajmëruar kundër rrezikut të lartë për vatra të tjera zjarri në jug të vendit në ditët e ardhshme, me njoftimin e temperaturave shumë të larta.

Në Finlandë, është Laponia, që pretendon emrin e “vendit të Santa Klausit”, që është prekur, me zjarre që kanë shkatërruar pyjet dhe parqet pranë kufirit me Rusinë.

Letonia njoftoi sot se Bjellorusia i kishte dërguar ndihmë për shuarjen e një zjarri që ishte njoftuar në lindje të vendit dhe i cili në një javë kishte shkatërruar një mijë hektarë pyje.

Gjermania është në alarm për valën e të nxehtit që ka përfshirë një pjesë të madhe të vendit, me temperatura që arrijnë 30-35 gradë Celsius dhe autoritetet kanë paralajmëruar kundër rreziqeve për zjarre në pyje në veri dhe lindje të vendit për shkak të thatësirës që është e pranishme që prej pranverës.

Në Holandë, 12 ura janë dashur të mbyllen në Amsterdam, sepse nxehtësia ekstreme mund të deformonte metalin dhe uji i kanaleve është përdorur për të ftohur urat.

Në Francë, rajoni parizian është përfshirë nga vala e të nxehtit që mendohet të zgjasë deri të premten duke rezultuar me ndotje të ozonit. Autoritetet kanë njoftuar kufizime të trafikut./atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com