Bilanci i zjarreve në lindje të Athinës është rënduar duke arritur në 74 të vdekur, ndërkohë që vendi ndodhet nën tronditjen e zbulimeve makabër, veçanërisht të zbulimit të 26 personave të djegur, mes të cilëve dhe fëmijë.
“Rreth 100 zjarrfikës vazhdojnë kërkimet për viktima të mundshme në këtë zonë të Atikës të përfshirë nga flakët dje në mbrëmje”, – shtoi zëdhënësja e zjarrfikëseve, Stavroula Maliri.
“Në qytezën turistike të Mati-t, 40 kilometra në lindje të Athinës, 26 persona janë gjetur të karbonizuar në grup, në përpjekje për të shpëtuar”, – tregon një anëtar i forcave të shpëtimit, Vassilis Andriopoulos.
Qeveria njoftoi mbërritjen e 308 inxhinierëve në rajon për të përshpejtuar inventarin e dëmeve.
Sipas zëdhënëses, nga një total prej 187 personash të shtruar në spitale, 82 po marrin ende kujdes mjekësor, 10 prej të cilëve janë adoleshentë dhe 11 fëmijë që kanë probleme me frymëmarrjen.
Një polake dhe djali i saj bëjnë pjesë mes të vdekurve, sipas Varshavës, që nuk ka dhënë më shumë detaje.
Rreth 715 persona janë evakuuar me anije ushtarake deri në portin fqinj të Rafinas.
“Sot Greqia është në zi”, – deklaroi Kryeministri grek, Aleksis Cipras, duke njoftuar në një fjalim televiziv për kombin, tri ditë zie kombëtare.
Presidenca ka anuluar festimet për rikthimin e demokracisë në Greqi në korrik 1974.
“Mati nuk ekziston më”, – është shprehur kryetari i bashkisë së Rafinas, Evangelos Bournous.
Autoritetet dhe vullnetarët janë organizuar për t’u ardhur në ndihmë të pastrehëve me ujë, ushqime dhe veshje.
Vendi, që ka aktivizuar mekanizmin europian të mbrojtjes civile, ka marrë ndihmë, veçanërisht në mjete ajrore nga Spanja, Franca, Izraeli, Bullgaria, Turqia, Italia, Maqedonia, Portugalia dhe Kroacia, ndërkohë që mesazhe mbështetëse janë bërë nga krerë shtetesh.
“Komisioni Europian nuk do t’i kursejë përpjekjet për të ndihmuar Greqinë”, – ka theksuar Presidenti Jean-Claude Juncker në një postim në Twitter.
“Dhimbja e viktimave na prek të gjithëve”, – theksoi Kancelarja gjermane, Angela Merkel në një letër dërguar Kryeministrit grek, Cipras.
Papa shpreh dhimbjen e thellë, ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka shprehur solidaritetin e Aleancës.
Qeveria greke njoftoi se do të merrte përsipër ceremonitë e varrimit dhe masa fiskale në mbështetje të të pastrehëve.
Prokuroria ka hapur një hetim për shkaqet e zjarreve.
Zëdhënësi i qeverisë, Dimitris Tzanakopoulos ka njoftuar se kishte pasur 15 nisje të njëkohshme zjarri në tre fronte të ndryshme në Attika.
“SHBA-ja ka ofruar një dron për të fluturuar në Attika dhe për të zbuluar çdo aktivitet të dyshuar”, – shtoi ai./atsh