Loading...

Mësonjëtorja e parë dhe fati tragjik i Pandeli Sotirit

Pandeli Sotiri është një nga personalitetet më të mëdha të letrave shqipe. Drejtori i parë i Mësonjëtores do ta bashkojë fatin me institucionin e parë të gjuhës shqipe, mësonjëtoren e parë të Korçës. Por dhe ai si shumë patriotë të tjerë që iu përkushtuan gjuhës shqipe do të kishte një fat tragjik. Në rastin e tij kemi të bëjmë me një kolonë të pestë. E shoqja që ishte vajza e një despoti grek, sajoi me të atin një vdekje aksidentale të patriotit, sigurisht në moshë të re.

Pandeliu do të lindë në vitin 1843 në Selckë të Lunxhërisë në Gjirokastër. Mësimet e para do t’i merrte nga patrioti Koto Hoxhi dhe do të dallohej që në vogëli për zgjuarsinë e tij, duke përfituar shpejt njohuri dhe kulturë të gjuhëve të huaja. Pas fatkeqësive familjare, detyrohet me të vëllain të emigrojë në Austri, ku kryen dhe studimet e larta. Në Vienë do të diplomohet për mjekësi.

Në rrethet intelektuale që frekuentonte, flitej për lëvizje të mëdha kombëtare, ndaj ai do të mësojë më shumë për lëvizjen kombëtare shqiptare, për Rilindjen, dhe vendos t’i përkushtohet me çdo aftësi të tij, çështjes kombëtare. Në vitin 1870 ai do zhvendoset në Stamboll dhe nëpërmjet mësuesit të tij , Koto Hoxhit, do të miqësohet me patriotët e mëdhenj shqiptarë si vëllezërit Frashëri, Vreto, Kristoforidhi etj. Do të marrë pjesë në grupe të rëndësishme patriotike, duke u shquar për vlerat e tij intelektuale dhe atdhetare.

Shoqëria, e cila kishte seli në tre shtete :Bukuresht, Stamboll dhe Kairo, filloi përpjekjen serioze për hapjen e shkollës në Korçë, duke angazhuar gjithë patriotët shqiptarë. Pandeliu hapi disa gazeta të shquara ku dallohet “Prometeu”, “Drita”, “Dituria”,  misioni  i të cilave ishte krejtësisht atdhetar.

Pandeliu ishte një intelektual shumë i shkathët dhe kudo ku shkoi, u shqua për aftësi të mëdha organizative në hapjen e revistave dhe gazetave që do të kontribuonin në zhvillimin e arsimit kombëtar.

Shoqëria e Stambollit që pati degët e saj dhe në Bukuresht e Egjipt dhe që drejtohej nga Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Koto Hoxhi, Hasan Tahsini nënshkruan “Platformën e Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip”. Aty u miratua  alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe sipas projektit të Sami Frashërit. Alfabeti i Stambollit me anë të të cilit u botua Alfabetarja e gjuhës shqipe solli dhe mundësinë e botimit të librave shqip.

Duke qenë se në Stamboll kishte shumë vështirësi në botimin e librave në gjuhën tonë amtare, Pandeliu u dërgua në Bukuresht, ku ishte një koloni shqiptarësh patriotë që mbështesnin fuqimisht çështjet kombëtare. Kështu u krijua një fushatë për mbledhjen e fondeve të nevojshme. Fushata mblodhi 15 mijë franga, duke krijuar kështu vatrën e përgatitjes së librave, mbledhjes së dorëshkrimeve dhe porositjes së shkronjave në Vjenë. U hap shtypshkronja shqipe, e cila mori emrin Shtypshkronja e Bukureshtit.

Mësonjëtorja e parë shqipe e Korçës

Duke qenë se në Shqipëri ishin hapur shumë shkolla por asnjë shqip, patriotët e mëdhenj e kishin synim të tyre, ndër më madhorin të hapej një shkollë shqipe. Dhe kjo detyrë e madhe kombëtare iu caktua Pandeli Sotirit. Drejtori i ri i shkollës arriti në qytetin e shenjtë të Korçës me 150 abetare nga Bukureshti. Do të arrihej më së fundi misioni i madh historik i Rilindjes: hapja e mësonjëtores shqipe që do hynte në historinë e kombit shqiptar si një ndër ngjarjet më të shënuara të historisë.  Shkolla do kishte karakter kombëtar dhe do ishte laike.
7 marsi i vitit 1887 ishte ndoshta një nga ditët më të bekuara të Korçës. Fillimisht u paraqitën 35 nxënës dhe më vonë u bënë 60.  Përpara nxënësve dhe prindërve që i shoqëronin, Pandeliu mbajti një fjalim interesant,  i cili foli për këtë akt të rëndësishëm me karakter kombëtar, një akt që më së fundi finalizoi përpjekjen e dhjetëra patriotëve shqiptarë që dhe jetën e jepnin që fëmijët shqiptarë të mësonin shqip.

Në shkollë mësohej këndim, gramatikë, histori, gjeografi, aritmetikë, dituri natyre dhe disa gjuhë të huaja.

Mësonjëtorja e Korçës ishte dallëndyshja e parë që u shoqërua dhe me shkolla të tjera që u hapën në Pogradec, Kolonjë, Berat, Vlorë e Gjirokastër.

Bazën teorike dhe pedagogjike të mësonjëtoreve e hartuan Naimi, Samiu, Vretoja.  Ndërkohë që si mësues përveç Pandeliut u dalluan dhe Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi e më pas motrat Qiriazi.

Mallkimi i shkronjave shqipe

Por me gjithë përpjekjet e mëdha të atdhetarëve shqiptarë përsëri vazhdonte mallkimi i shkronjave shqipe. Qarqet shoviniste greke që prej kohësh persekutonin e vrisnin të gjithë ata që guxonin të shkruanin shqip do të martirizonin dhe drejtorin e parë të shkollës shqipe.

Profesor Dhimitër Shuteriqi shkruan: kjo luftë u zhvillua përmes kërcënimesh e viktimash sidomos pas krijimit të Shoqërisë së Stambollit dhe çeljes së shkollave shqipe. Pandeli Sotiri mbeti i pari në këtë luftë pas  Naum Veqilharxhit e më pas edhe Petro Nini Luarasi.I martuar me një grua, e bija e një dhespoti grek, me të cilën nuk kishte lindur fëmijë, ajo së bashku me të atin e saj kurdisën aksidentin e rënies së Pandeliut nga kati i tretë i shtëpisë në Stamboll. Humbja tragjike dhe e parakohshme e tij, e kurdisur nga armiqtë e kombit shqiptar, shkaktoi hidhërime në të gjithë shqiptarët…

E madhe ishte dhimbja për humbjen e këtij njeriu të madh. Doktorit që ia kushtoi jetën veprimtarisë patriotike dhe shkronjave të arta shqipe. Për kontributin e madh që ai dha në historinë shqiptare, në fushën e arsimit dhe bekimin dhe jetën që i dha shkronjave shqipe ai jo vetëm që zë një vend të rëndësishëm ndër patriotët e Rilindjes por do të jetojë në jetë të jetëve Mësonjësi i parë i gjuhës shqipe. /konica.al/

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com