Sot u zhvillua seanca e fundit parlamentare për Sesionin e II të Legjislaturës së IX të Kuvendit të Shqipërisë, ku u miratuan katër ligje, pesë marrëveshje, dy projektvendime dhe një projektrezolutë.
Në hapje të seancës, fjalën e mori zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama, i cili deklaroi se LSI nuk do të votojë ligjin për Magjistratët, pasi bie në kundërshtimin me Kushtetutën e re që Kuvendi votoi dy vite më parë. “Reforma në Drejtësi duhej bërë dhe duhet bërë në frymën e bazës që ne sanksionuam me frymën e ndryshimeve Kushtetuese. Pas dy vitesh Shqipëria është i vetmi vend pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë. Kjo tregon se projeksioni që u ndërtua Reforma në Drejtësi ka qenë më e pakta me defekte që vijnë dhe na shfaqen deri në këtë gjendje që ne jemi sot. Përgjegjësia bie mbi të gjithë klasën politike”, – u shpreh Rama. Gjithashtu, Rama i kërkoi Kuvendit që të mos marrë pushimet, por të zgjidhë çështjen e Gjykatës Kushtetuese.
Kryetari i Kuvendit, Ruçi në qëndrimin e tij ndaj kërkesës së LSI për dialogun për projektligjet, miratimi i të cilave kërkon shumicë të cilësuar, u shpreh se: “Unë, siç e kam deklaruar edhe herë të tjera, inkurajoj dhe mbështes dialogun për të kapërcyer mbi luftën politike të ditës dhe axhendës normale politike të partive politike. Sigurisht, që kemi gjëra që na ndajnë, por kemi plot gjëra që na bashkojnë, siç është reforma në Drejtësi dhe unë e përgëzoj grupin parlamentar të LSI-së, që është i gatshëm për dialog. Sigurisht, unë e kam inkurajuar dhe përsëri jam në dispozicion të funksionimit të dialogut. Prandaj kërkoj që shërbimet e Kuvendit, mundësisht të komunikojnë edhe me kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së dhe në një moment, gjatë zhvillimit të seancës, të ulemi për të diskutuar të dy projektligjet e përfshira në rendin e ditës që kërkojnë shumicë të cilësuar. Do të mbështes gjithashtu edhe propozimin tjetër, pavarësisht nga vakanca e drejtë e lejes në muajin gusht, nëse do të duhet për t’u thirrur Kuvendi për t’i hapur rrugë votimit të kandidatëve që vijnë nga institucionet e tjera si Presidenti apo Kuvendi, për Gjykatën Kushtetuese dhe për Gjykatën e Lartë. Besoj se shpreh edhe vullnetin e të gjithë deputetëve, për thirrjen, në çdo kohë, të Kuvendit për këtë çështje.”
Më tej, seanca vijoi me diskutime rreth projektligjit “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”. Në emër të Grupit Parlamentar të PS-së, Vullnet Sinaj tha se ligji për të cilin po diskutojmë sot, synon përcaktimin e dispozitave të reja për kontrollin shtetëror të importit dhe eksportit të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë, në përputhje me rregulloret e BE-së dhe me marrëveshjet dhe traktatet në të cilat Shqipëria është palë.
“Qëllimi i këtij projektligji është vendosja e kontrollit shtetëror mbi transferimin ndërkombëtar të mallrave të ushtarake, artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, për të siguruar mbrojtjen e interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë, sigurinë dhe politikën e jashtme, kredibilitetin ndërkombëtar të saj dhe garantimin e respektimit të angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë në këtë fushë”, – tha Sinaj. Ky projektligj u miratua me 75 vota pro.
Në fjalën e saj për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar”, nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, u shpreh se: “Shumë ndryshime janë bërë në lidhje me mbrojtjen e grave dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes nga dhuna në familje, me ligj, por në praktikë të gjithë jemi dëshmitarë se edhe ky ligj, të cilit i janë bërë përmirësime të vazhdueshme dhe përbën dhe një nga risitë në praktikën shqiptare, has në vështirësi në zbatimin në praktikë. Konkretisht, nisma që ka sjellë Këshilli i Ministrave synon në radhë të parë të garantojë mbrojtjen reale të grave në periudhën paraprake, në momentin sapo ato të denoncojnë apo raportojnë dhunën në polici, sepse në këtë periudhë ka një vakuum ligjor. E dyta, edhe urdhrat e mbrojtjes dhe urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes, për të cilët të gjithë qytetarët kanë dëgjuar, jo gjithnjë kanë qenë efektivë. Nuk janë të pakta rastet kur personave në urdhër mbrojtje u është marrë edhe jeta. Gjithashtu, pak kohë më parë ne kaluam një ligj të rëndësishëm në kuadër të Reformës në Drejtësi, Ligjin e Ndihmës Ligjore të garantuar nga Shteti”. Ky projektligj u miratua me 75 vota pro.
Lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, Adelina Rista vuri theksin mbi faktin se qeveria shqiptare u përball me një sërë problematikash të mbartura në të gjitha drejtimet, gjatë vënies në zbatim të reformës në arsim. Sipas saj, megjithatë, qeveria e kishte parë arsimin si sfidë dhe përgjegjësi dhe dita-ditës reforma është duke dhënë rezultate konkrete pozitive. Deputetja e Partisë Socialiste u shpreh se ky projektligj synon që nëpërmjet 24 neneve të fuqizojë e përmirësojë reformën në Arsim.
“Projektligji shënon një qasje të re të funksionimit dhe organizimit të institucioneve përgjegjëse të sistemit arsimor parauniversitar. Në kuadër të funksionimit të reformës së re territoriale, ku komunat nuk janë më njësi të qeverisjes vendore, projektligji rregullon përbërjen e Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar. Për herë të parë zbatohet aplikimi i konceptit të vlerësimit të jashtëm të arritjeve shkollore në arsimin fillor, si edhe nëpërmjet këtij projektligji mundësohet krijimi i bazës ligjore për një kulturë të re të prindërve në nivel kombëtar, atë të Këshillit Kombëtar të prindërve”, – u shpreh Rista. Ky projektligj u miratua me 75 vota pro.
Deputeti i Partisë Socialiste, Rakip Suli, lidhur me projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, në kuadër të grantit të investimit nga Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor”, bëri me dije që kostoja totale e projektit kap vlerën 90.6 milionë euro dhe e detajoi sipas zërave mënyrën e financimit. “Me miratimin e këtij granti përmbyllet fatura financiare për realizimin e këtij projekti strategjik dhe ekonomik për vendin. Në vlerën e siguruar prej 90.6 mln euro është i mundur realizimi i projektit për rehabilitimin e linjës ekzistuese Tiranë-Durrës, me gjatësi 34.2 km si edhe ndërtimi i linjës së re hekurudhore që lidh linjën kryesore me aeroportin e Rinasit, me gjatësi 4.7 km, duke përfshirë edhe degëzimet shtesë në Tiranë dhe Durrës, me gjatësi 980 metra dhe 800 metra respektivisht, për të lidhur linjën e re me terminalin publik. Projekti parashikohet të fillojë në janar 2019 dhe të përfundojë më 31.12.2020, pas sigurimit të fondeve nga qeveria shqiptare”. Deputeti Suli në fjalën e tij listoi përfitimet e këtij projekti: kohën e lëvizjes, zvogëlimin e trafikut rrugor, komoditetin në lëvizje, reduktimin e ndotjes dhe zhvillimin e ekonomisë dhe punësimit. Kjo marrëveshje u miratua me 75 vota pro.
Seanca miratoi me 75 vota pro projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Rifinancimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në zonat urbane dhe rurale, faza e dytë”, ratifikuar me ligjin nr. 86/2015”; projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Eficienca energjetike përmes sektorit bankar” ratifikuar me ligjin nr. 89/2015”; projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për programin e arsimit dhe formimit profesional nëpërmjet inovacionit”.
Ndërsa projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e financimit për projektin e modernizimit të asistencës sociale” dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale”, u miratuan me 76 vota pro.
Më tej, seanca votoi me 76 vota pro dy projektvendime “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi” dhe projektvendimin “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore”.
Gjithashtu dhe projektrezoluta “Për reformën e politikës shtetërore për diasporën” dhe projektligji “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, u votuan me 76 vota pro.
Në përfundim të seancës plenare, Ruçi bëri me dije se: “Përsa u përket propozimeve të bëra nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim për dy projektligjet që kemi sot në seancë plenare, inkurajoj plotësisht dialogun ndërmjet grupeve parlamentare, me qëllimin e mirë për të mundësuar votimin e dy projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, si për zgjidhjen përfundimisht të ngërçit për Shkollën e Magjistraturës, ashtu edhe për votimin e nismës së deputetit Ndreu për Kodin Rrugor, për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve. Siç e dini, ndërpreva drejtimin e seancës për të negociuar me tre grupet parlamentare. Komunikova me tre kryetarët e grupeve, por kjo tryezë nuk u mundësua, sepse disponibël për të negociuar ishte vetëm Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste z. Balla. Z. Spaho, pas negociatave, refuzoi pjesëmarrjen me argumentin se nuk marrim pjesë në tryezë pa u anuluar ligji për Teatrin. Z. Rama, i cili ishte propozuesi, pasi negocioi me grupimin më të madh opozitar, Partinë Demokratike, nuk mundësoi prezencën e tij në tryezë. Kështu që të dy projektligjet, pavarësisht nga diskutimi, shtyhen deri në arritjen e një vullneti politik për t’i votuar ato me shumicë të cilësuar”. Seanca plenare i mbylli punimet e saj rreth orës 15:00. /atsh