Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për restaurimin e altarit në parkun arkeologjik të Orikut, Vlorë.
Instituti i Monumenteve të Kulturës bën me dije se projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë parashikon ndërhyrje restauruese në altar, të cilat konsistojnë në rikompozimin me anë të anastilozës të elementëve përbërës të altarit.
Qyteti antik i Orikut pozicionohet në jug të gjirit të Vlorës, mbi një kodër të ulët gëlqerore të quajtur Paleokastër.
Mendimi i studiuesve shqiptarë është se Oriku figuron i themeluar nga korinthasit në vitin 558 p.e.s, pothuajse në të njëjtën kohë me Apolloninë. Duke filluar nga shek. II p.e.s. Oriku figuron në të gjitha konfliktet midis Maqedonisë dhe Romës, kurse gjatë periudhës otomane është quajtur Pasha Liman.
Aktualisht, është zbuluar vetëm një përqindje e vogël e qytetit antik,vazhdojnë gërmimet arkeologjike dhe është i vizitueshëm lehtësisht me anë të rrugës automobilistike Vlorë-Orikum. Në vitet 1958-60 u zbulua altari me përmasa 3 x 3. 45 metra me formë kuadratike. Monumenti qendror i Orikut është shatërvani monumental i tij, e cila daton në periudhën helenistike dhe braktiset rreth shek I p.e.s.
Përbërësit arkitektonik janë shkallarja në formë gjysmërrethi, e cila ka një podium me kornizë me dentikula që arrin në 1.57 metra lartësi. Është i përbërë nga dy ambientet anësore me formë drejtkëndore me përmasa 5 x 12.60 metra ai jugor dhe 3.7 x 17.4 ai verior. Po në këtë park ndodhet dhe kisha e Marmiroit.
Kisha ndodhet mbi një çukë të vogël në afërsi të Orikut dhe në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Me emrin kisha e Marmiroit ajo përmendet fillimisht në dokumente historike në vitin 1307. Mbështetur në arkitekturën e monumentit dhe në krahasimin me kishat e vendeve fqinjë, studiuesit kanë arritur në konkluzionin se kisha e Marmiroit mendohet të jetë ndërtuar midis shekulli X-XIII.
Hartimi i projektit për altarin në Orik vjen në vijim të projekteve që po publikon IMK, por që për specialistët e fushës së trashëgimisë kulturore ka ende shumë për të bërë./atsh