Ngritja e kampeve të refugjatëve të cilët vijnë nga vendet në konflikt apo nga kontinenti Afrikan, nuk janë një kusht i vendosur nga Brukseli dhe kjo problematikë nuk ka asnjë lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE.
Ministri i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme Federale gjermane, Michael Roth ka hedhur poshtë të gjitha aludimet duke sqaruar qëndrimin e qeverisë gjermane në lidhje me ngritjen e kampeve pritëse në Shqipëri.
“Në fakt nuk ka asnjë lloj kushti për kufijtë përsa i përket rrymës së emigrantëve që vijnë nga vendet e Afrikës së Veriut, apo për hapjen e kampeve të emigrantëve apo refugjatëve. Nuk ka absolutisht asnjë lidhje të drejtpërdrejtë të kësaj problematike me çështjen e integrimit. Ne jemi të interesuar të gjitha palët që të gjejmë zgjidhje të përbashkët, paneuropiane për emigrantët dhe azilkërkuesit. Bazat në gjetjen e këtyre zgjidhjeve do të ishin vlerat që na bashkojnë ato të solidaritetit dhe humanizmit dhe në këtë kontekst Shqipëria dhe Maqedonia janë të mirëpritura të japin kontributin e tyre. Dua të theksoj që nuk ka lidhje çështja e integrimit me këtë problematikë”, theksoi ministri gjerman Roth./atsh