Loading...

“Shkuam në dhomën e gjumit për të fjetur si çdo natë tjetër”: Rrëfimi prekës i vajzës së Hamëz Jasharit, për sulmin e para 20 vjetëve në Prekaz

Vajza e heroit të kombit Hamëz Jashari, Besarta, përmes një postimi në Facebook ka vendosur që siç ka thënë “të ndajë kujtime në këtë përvjetor”, datë e cila siç thotë ajo “i ngjallë dhimbje, krenari dhe dashur për vendin tim”.

Përmes këtij postimi, përcjell Telegrafi, Besarta ka treguar momentet e sulmit të para 20 viteve, sulm ky i realizuar nga forcat serbe kundër familjes së saj në shtëpinë e tyre në Prekaz.

“Nuk e dija që ajo natë do të ndryshonte çdo gjë – ndoshta ishte më mire, sepse në vend se ta përqafoja përfundimisht nënën Feride e babën Hamëz dhe krejt familjarët e mi, unë si zakonisht me fëmijët e familjes shkuam në dhomën e gjumit për të fjetur si çdo natë tjetër”, ka shkruar ndër tjerash Besarta.

Më poshtë ua sjellim të plotë rrëfimin e saj:

Sot në 20 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë vajza e heroit të kombit Hamëz Jashari, e mbijetuara e betejës historike të 5,6 dhe 7 Marsit do të ndajë kujtime në këtë përvjetor – datë kjo që më ngjallë dhimbje, krenari dhe dashuri për vendin tim.

Një ditë para betejës së lavdishme, ishte çdo gjë zakonshme në jetën time… nuk e dija që ajo natë do të ndryshonte çdo gjë – ndoshta ishte më mire, sepse në vend se ta përqafoja përfundimisht nënën Feride e babën Hamëz dhe krejt familjarët e mi, unë si zakonisht me fëmijët e familjes shkuam në dhomën e gjumit për të fjetur si çdo natë tjetër.
Nuk e dija…

Sinqerisht, nuk e dija që ajo ishte nata e fundit që do të luaja me Blerinën e vogël, nuk e dija që ajo ishte nata e fundit që nëna Feride do më puthte ballin para gjumit.

Nuk e dija, se isha fëmijë.

E lindur dhe e rritur në kullën mësuesit të parë shqiptar në atë anë, më kishte krijuar bindjen se përpjekja e babës Shaban, babushit Hamëz dhe balit Adem për çlirimin e vendit ishte veçse obligim. Ne si fëmijë të Familjes Jashari, ishim mësuar ti shohim burrat tonë të armatosur dhe të përndjekur, ishim mësuar edhe me represionin e pushtetit të atëhershëm serb mbi shqiptarët e asaj ane – me theks të veçantë mbi familjen tonë.

Për këtë na kishte fol babushi e bali Adem, se pushtuesi duhet të largohet nga vendi jonë – për çdo çmim, ndërsa baba Shaban na tregonte historitë që ishin frymëzim për kombin. Andaj besoj që ne të gjithë fëmijët e Jasharëve ishim të përgatitur për betejën që po na priste.
Por, nuk e dija që mizoria e pushtuesit serb nuk do të kursente asgjë.

Para agimit, u zgjuam nga zhurmët e makinerisë së pushtuesit serb që kishin rrethuar kullën e babës Shaban, edhe atëherë nuk e dija se çfarë po na priste.

Derisa nëna më porositi të marr dru për zjarrë, takova babushin i cili pranë odës ishte duke tymosur duhan me armë në brez e në krah – si asnjë herë më parë ndjeva dashurinë për babushin, si asnjë herë më parë pash bukurinë e tij.

E pyeta: “Babush, çka po bohet? Çka është kjo zhurmë?”

I buzëqeshur më tha: “Kurgjo, qika jem. Po nihen dikun shkijet, po nuk jon tu ardh te na”

Nuk e di pse, sa herë që fliste babushi ma qetësonte shpirtin. Ajo ishte hera e fundit që e pash të gjallë, por zërin ia kam dëgjuar deri në rënien e tij – duke kënduar këngën e mëmëdheut:

Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë
vraponi burra se s’ka me prit
Të vdesim sot ne, me Besa Besë
pranë flamurit të kuq q’u ngrit…

Krahas babushit, e këndova edhe vet… e këndoj edhe sot, kënga që përbën mesazh për bashkëluftëtar, mesazh për bashkim, mesazh për obligimin që kemi para shqiponjës.

Nuk zgjati edhe shumë, zhurma e makinerisë së forcave serbe po afrohej, që në mëngjes po dëgjohej larg.

Natyrshëm u mobilizuam të gjithë anëtarët e familjes, këngës së babushit iu përgjigjëm me rradhë…

Betejës që u bë shkëndi e luftës çlirimtare, po i afrohej fundi… epilogu ishte i rëndë dhe i dhimbshëm për mua – babushi që me tha: “Kurgjo, qika jem” nuk e kishte pas njëmend, as nëna që më shtrëngonte e më thoshte ‘Mos u tut, qika jem” nuk e kishte pas njëmend…

Njëmend, paska qenë vendosmëria e Familjes time për çlirimin e atëdheut.

E gjitha që kishte ndodhë në betejën e Familjes Jashari, është në zemrën dhe mendjen time… do të mundohem që këtë përjetim dhe ngjarje ta ndajë me kombin tim – atëherë kur mundem.

Po e përmbylli këtë përkujtim për 20 vjetorin e Epopesë së UÇK-së me mesazhin e njejtë si të babushit “Për mëmëdhenë”, duke ftuar për bashkim dhe dashuri për Kosovën. Lavdi (sic) /Telegrafi/

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com