Loading...

Berisha i tha Erdogan se shqiptarët kanë gjak turk, Nano e Rama morën pjesë në dasmën e djalit e të vajzës. E përbashkëta: I dhanë Telekom, Rrugën e Kombit, aeroportet

Njerëzit që kanë sunduar Shqipërinë pas viteve 1990, përjashtuar Ramiz Alinë që nuk iu dha rasti, kanë qënë dhe janë të sygjestionuar nga presidenti aktual turk Rexhep Taip Erdogan.

Në forma të ndryshme, ish Presidenti dhe ish kryeministri Sali Berisha, ish kryeministri Fatos Nano dhe kryeministri aktual Edi Rama kanë qënë dhe janë miq për kokë të presidentit turk, pavarësisht akuzave që SHBA dhe BE kanë ndaj tij për diktaturë dhe autoritarizëm.

Pavarësisht nga sa takuzojnë sot kundërshtarët e tyre politikë, kur janë në opozitë apo jashtë politikës, për interesa të caktuara politike, të gjithë pa përjashtim ka qënë miq kokë e këmbë me “Sulltanin” e ri turk.

Për hir të së vërtetës, i pari që vendosi ura miqësie personale me presidentin turk Erdogan ka qënë ish kryeministri shqiptar, për ironi të fatit i besimit orthodoks, socialisti Fatos Nano. Mjaftoi vetëm një takim mes tyre dhe bëhen miq për kokë, falë dhe natyrës liberale të ish kryeministrit Nano, si njeri i batutës, tavolinës dhe i gotës.

Në vitin 2004 ishte ish kryeministri Fatos Nano dhe kryeministri Silvio Berlusconi që hidhnin firmën si dëshmitarë në martesën e djalit të Presidentit turk, Erdogan, duke treguar qartë se miqësia e tyre ishte jashtëzakonisht e madhe.

Dhe si për çudi po këtë vit, me procedurë të përshpejtuar qeverisja socialiste e drejtuar në atë kohë nga Fatos Nano i dha Telekomin shqiptar, sot Albtelekom, një firme tuke. E cila dyshohet, akuzat janë hedhur pavarësisht provave, se është e djalit të Erdogan.

Fatos Nano iku nga pushteti në qershor të vitit 2005, por pjesë e luftës politike që Sali Berisha në atë kohë në opozitë i bëri ishte dhe dhënia e Telekomit për firmën turke, me premtimin për elektoratin se do ta anulonte privatizimin.

Sali Berisha në qershor të vitit 2005 bëhet kryeministër i vendit, dhe pasi bëri ca presion, futi djalin Shkëlzen Berisha në pjesë në këtë kompani, si drejtor për të ardhmen, merrte rrogën kot dhe më pas si bashkëpronar, dhe e la në fuqi privatizimin e paardhësit të tij.

Ish kryeministri Sali Berisha nuk u mjaftua me kaq, por në vitin 2006 vizitën e parë jashtë vendit e bëri në Turqi me ftesë të mikut turk Rexhep Taip Erdogan, asokohe kryeministër pasi president ishte Abdulla Gyl.

Ishte një vizitë shumë miqësore, një përgjërim për vëllazërinë turko-shqiptare që kishin qëndruar bashkë për 500 vite, me dëshirë apo pa dëshirë, Berisha as që donte t’ia dinte.

Rezultati i kësaj vizite ishte marrja e “Rrugës së Kombit” për ta ndërtuar pa projekt nga firma turke, rezultati i të cilës dihet.

Berisha e Basha morën me një dorë 230 milionë euro, ndërkohë që deri më tani, pavarësisht se kërkon miliona euro investime sërish, u shpenzuan 1.5 miliardë euro që tronditi bilancet e shtetit dhe zhyti vendin në borxh.

Madje erdhi dhe Erdogan për të bërë përurimin pa përfunduar ende, duke kushtuar dhe 60 milionë euro të tjera pasi u shemb tuneli. Rezultati tjetër i kësaj vizite ishte marrja e një HEC-i i treti për nga madhësia në Mirditë, HEC që tashmë është vënë në punë, por që ka prishur tërë ekosistemin në këtë zonë. Thuhet se në të dyja investimet ka dorë familja Erdogan.

Berisha bëri dhe një vizitë tjetër në Ankara dhe u takua me Erdogan në prill të vitit 2012, ku lëshoi dhe ‘perlën’ e tij të radhës. Në konferencë për shtyp me Erdogan, Berisha ka deklaruar se kemi lidhje gjaku me turqit. Një deklaratë e tillë ishte normale për ish kryeministrin Berisha, i cili edhe kur shkoi në Azerbajxhan, na bëri me origjinë azere, thjeshtë për atë punë nafte. Kësaj here Berisha tha se kemi lidhje gjaku me turqit. “Edhe njëherë, zoti kryeministër dua t’u falënderoj shumë përzemërsisht për pritjen vëllazërore. E them vëllazërore sepse kemi lidhje gjaku. Çfarë më ndodh mua, të dashur miq? Çdo delegacioni turk që unë takoj, pasi merr fund pjesa zyrtare unë ju shtroj një pyetje: Cili nga ju ka gjak shqiptar në deje? Nuk kam gjetur deri më sot asnjë. Juve zoti kryeministër nuk ja u kam shtruar ndonjëherë këtë pyetje se jam i sigurtë që nuk bëni përjashtim,”tha Berisha.

Teksa kishte marrë lajmin se Shqipëria është aleati strategjik i Turqisë në Ballkan, Berisha vijoi me ligjëratën e tij në konferencën e shtypit me Erdogan, ku fton kryeministrin e atëhershëm turk të merrte pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë nga Turqia.

Berisha tha se “kam ardhur këtu në një vizitë që koinçidon me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ky është një rast i shkëlqyer për mua, të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj kombit turk dhe Republikës së Turqisë për mbështetjen 100-vjeçare që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri dhe dinjitet kombëtar”. Më pas ai e ftoi Kryeministrin Erdogan të vizitojë Shqipërinë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.

Rezultati i kësaj vizite të dytë të Berishës në Turqi ishte shitja-falje që i bëri hidrocentralit të Ulzës dhe Shkopetit firmës turke Kurum, për 46.7 milionë euro pa pyetur pronarët ku ngrihet baseni i këtyre HEC-eve, por dhe pa bërë asnjë llogari pasi fitimi vjetor nga shfrytëzimi i energjisë nga dy HEC-et ishte 40 milionë euro.

Me këto nonsense Berisha pasi na bëri me gjak turk, pasi e ftoi Erdogan në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë nga Turqia, shqiptarët e panë veten nën dominimin e parave turke që hynin e dilnin në Shqipëri bashkë me ato shqiptare.

Ndërkohë që me ardhjen në pushtet të kryeministrit aktual Edi Rama miqësia me Erdogan tashmë President u thellua akoma më shumë. Firmat turke kanë marrë gjithyçka në Shqipëri, duke filluar që nga aeroportet në Vlorë dhe gjetkë, pa përjashtuar rrugë dhe elementë të tjerë jetikë për Shqipërinë.

Si për ironi të fatit, Edi Rama ka firmosur si dëshmitar në martesën e vajzës së Rexhep Taip Erdogan dhe ka qënë në krye të vendit në këtë dasëm, ku dhëndërri Berat Albajrak është bërë tashmë Ministër Financash në Turqi. Pra kanë një miqësi solide mes tyre, duke shënuar vizita të njëpasnjëshme të Ramës në Ankara dhe takime kokë më kokë me Erdogan.

Pra e përbashkëta e Berishës, Nanos e Ramës është se jo vetëm kanë pasur të njëjtin mik, Rexhep Taip Erdogan, por dhe e kanë “dorovitur” të gjithë sa herë kanë qënë në pushtet me pasuritë e shqiptarëve për ta “ushqyer” këtë miqësi me “Sulltanin” e ri të Anadollit./pamfleti

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com