Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka njoftuar se çdo person, shqiptar ose i huaj, i cili hyn ose largohet në dhe nga territori i Republikës së Shqipërisë është i detyruar të deklarojë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 1,000,000 (një milion lekë) ose kundërvlera e saj në monedha të tjera të huaja, si dhe qëllimin e mbartjes së tyre, për të cilat duhet të paraqesë dokumente justifikuese.
Pra, nëse keni 1 milion e sipër lekë me vete, cash ose në objekte, mos tentoni ta kaloni pa e deklaruar sepse ka disa penalitete nëse nuk e bëni këtë gjë.
Por, cilat janë penalitetet e mosdeklarimit?
Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë, në hyrje ose dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë, i shumave në të holla, i çdo lloj forme të çekut bankar, metaleve ose gurëve të çmuar, si dhe i sendeve të tjera me vlerë, përtej vlerës së parashikuar nga ligji përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Si kryhet deklarimi?
Deklarimi kryhet nëpërmjet formularit për raportimin e transportit të vlerave në kufi (RTVK) i cili gjendet pranë zyrave doganore në Pikat e Kalimit Kufitar ose mund të shkarkohet nga faqja web e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Paraqituni pranë Autoriteve Doganore për të plotësuar formularin për raportimin e transportit të vlerave në kufi (RTVK) duke paraqitur dokumente plotësuese që justifikojnë burimin e të ardhurave që deklaroni.
Formulari i deklarimit plotësohet:
Përpara kontrollit të pasaportës nga autoritetet e Policisë dhe Autoritetet e Sigurisë.
Nuk ka rëndësi mënyra e udhëtimit tuaj (me avion, anije makinë, motorr, biçikletë, këmbë).
Nuk ka rëndësi ku ju i mbani vlerat monetare: në çantën e dorës , në bagazhe, në mjetin që udhëtoni.
Edhe nëse mjetet monetare nuk janë në pronësinë tuaj.
Nuk paguani taksë për plotësimin formularit të deklarimit të vlerave monetare (RTVK), vë në dukje Drejtoria e Përgjithshme e Doganave./njekomb