Të shkosh apo të kthehesh nga Saranda është një detyrim emocional të kthehesh majtas, në një pyll të bukur në Malin e Gjerë e të vizitosh “Syrin e Kaltër”, një burim, një mrekulli natyrore që të befason.
Konsiderohet gjerësisht si një thesar kombëtar, mahnitës “syri i Kaltër” ose “syri blu” është i klasifikuar si një fenomen i befasues i natyrës, një vend i bukurisë natyrore që ndodhet në rrugën midis qyteteve të Sarandës dhe Gjirokastrës. Është një burim 45 metra i thellë me ujë të kthjellët në mes të një pylli me lajthi, arra, qershi, pisha dhe drurë të tjerë gjelbërues.
Për Syrin e Kaltër, një nga 18 burimet karstike të Malit të Gjerë, ka në rrjedhën e kohës rrëfimet për një dragua dhe vashat e bukura.
Në vitet e ndërtimit të puseve të naftës, një inxhinier e përafroi me sytë e të dashurës ngjyrën e ndryshueshme të burimit, e kështu historia e një dashurie u bë refreni i një pastërtie ujërash dhe kthjelltësie marramendëse.
Sipas legjendës në ato zona sundonte një dragua që rrëmbente vajzat, ndalte ujin dhe ua kishte bërë tejet të vështirë jetën banorëve. Derisa më në fund e vranë dhe, kur e vranë, nga syri i dragoit buroi ky ujë i kulluar që vazhdon të rrjedhë teposhtë në formën e lumit të Bistricës duke ushqyer atypari një bimësi të rrallë për nga dendësia e forca dhe duke dhënë më tej dritën që ndriçon qytetet dhe fshatrat e Jugut.
Një dragua që ndal ujin dhe rrëmben vajzat është i urryer, kurse fakti që syri i këtij dragoi të vrarë shndërrohet në burim jete sikur të çorienton emocionalisht duke shkrirë në një të vetme të mirën dhe të keqen. Megjithatë, kuptimi i kësaj legjende, si i shumë të tjerave të ngjashme me dragua, është i qartë. Ajo simbolizon përpjekjen e njeriut për të mposhtur të keqen, apo forcat e natyrës dhe për t’i hapur rrugën jetës; por edhe varësinë e tij prej natyrës. Nuk mund ta nënshtrosh veçse duke iu nënshtruar, thotë Bekoni për natyrën.
Syri i Kaltër me gjithçka përreth tij është tamam një tempull natyror që i kushtohet misterit të jetës, luftës së njeriut për të mbijetuar në natyrë dhe njëherësh pandashmërinë e tij prej saj. Një tempull ku në vend të kolonave prej guri, rreth altarit (syrit), ngrihen rrepet e lartë qindravjeçare që e marrin fuqinë nga uji. Gjithçka aty përreth të imponohet me forcën e asaj që shpesh e quajmë “e shenjta” e cila herë shfaqet me nuanca magjike, herë me misterin dhe frikën që të ngjall, herë me respektin dhe madhështinë, por gjithmonë me forcën për ti qëndruar pranë.
Veç natyrës së bukur është edhe mikëpritja e vendasve, gastronomia karakteristike e krahinës, qetësia e natyrës që e detyrojnë vizitorin të ndalet e të kërkoj paqe për disa orë në këtë parajsë natyrore. /atsh