ONM i ka rekomanduar ditën e sotme Komisionerit Publik të ankimojë në KPA vendimin e KPK për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Komisioneri Publik thotë se po shqyrton vendimin e shkallës së parë që la në detyrë Bashkim Dedjan, pas rekomandimit nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Sipas KPK-së, Dedja kishte paqartësi dhe para të pajustifikuara në deklaratat e pasurive. Ato kanë të bëjnë me huat për blerjen e një apartamenti në Tiranë, me sipërfaqe 146 metra katrorë. Për këtë, Dedja ka deklaruar se ka marrë një kredi prej 120 mijë eurosh me afat 20 vjet.
Gjithashtu, si burime për blerjen e apartamentit, ai ka deklaruar 35 mijë euro kursime dhe dy hua pa interes në vlerën totale prej 25 mijë euro të marra nga vëllai dhe kunati i tij.
Mirëpo, sipas KPK-së, këto hua nuk justifikohen. Së pari, pjesa e huas prej 15 mijë euro pa interes që vëllai i tij i ka dhënë Bashkim Dedjes, sipas deklarimeve të tij, është e pajustifikueshme, pasi në të njëjtën kohë, ai ka marrë edhe një kredi prej 42 mijë eurosh për blerjen e një apartamenti.
Megjithatë me shumicë votash KPA konfirmoi në detyrë pak javë më parë kreun e Kushtetueses.
ONM-ja është një operacion monitorues i ngritur për të mbikëqyrur procesin e vetingut të anëtarëve të gjyqësorit në Shqipëri. Afati i fundit për ankimimin në KPA të vendimit të KPK për Dedjan është 28 korriku 2018./pamfleti