Një raport i thelluar për sigurinë ushqimore në vend pritet të nxjerrë fakte tronditëse mbi cilësinë e tyre. Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit paralajmëron rezultatet e analizave. Në treg, do të ngelin vetëm të licencuarit
Në vendin tonë deri një vit e gjysmë më parë kanë hyrë shpendë, kryesisht pula që duheshin groposur në vendin fqinj, Greqi, por që pseudo tregtarë i kanë marrë e shitur këtu si të ishin të freskëta. Duke rrëzuar pretendimet e suksesshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit,e cila thotë se mishi i importuar që hidhet në treg është i sigurt, Stafa foli për 7 ngarkesa me mish “të kalbur” që ka hyrë në Shqipëri, prej të cilave janë kapur vetëm dy të tilla.
E si të mos mjaftonte kjo, shqiptarët vijojnë të konsumojnë mish dhe nënproduktet e qumështit nga bagëti të pa vaksinuara, të paregjistruara. Pikërisht në zonat e thella të Dibrës dhe Matit ku flitet së fundmi për shfaqjen e sëmundjes së plasjes, Hasa tha se 80 për qind e bagëtive janë të paregjistruara. Sa për qumështin më aflatoksinë, ai tha se i gjithë skandali për të cilin folën mediat erdhi pas veprimeve të disa segmenteve të caktuara për të dëmtuar konkurrencën e ndershme.
Jo vetëm temperaturat e larta, por edhe një sërë faktorësh të tjerë, po shkaktojnë vdekjen e ngadaltë të shqiptarëve, të cilët konsumojnë çdo ditë ushqime të pakontrolluara, të skaduara dhe pa garancinë e organeve shtetërore. Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit ngre shqetësimin se në kryeqytet dhe në zonat pranë plazheve, po lejohen individë të shesin produkte pa vulë sigurie, produkte të cilat në mos të skaduara janë të predispozuara për të humbur vlerën ushqimore në çdo çast. Drejtuesi i kësaj zyre, Hasan Stafa në një intervistë për “Shekulli”-n tregon skemën e shitjes në kushte informaliteti dhe tregjet problematike, ndërsa zbulon edhe të dhënat paraprake të një raporti që do dalë pas kontrollit dhe analizave të ushqimeve që tregtohen në vend.
Z. Stafa, konsumi i ushqimeve në këtë periudhë shton riskun e helmimeve, jo vetëm për arsye klimatike, por edhe për arsye që në shoqërinë tonë ekzistojnë prej vitesh. A keni evidentuar ankesa të shtuara nga konsumatorët, sikundër edhe tregje problematike nga burojnë këto ankesa?
Në këtë periudhë është kulmi i ankesave nga konsumatorët. Një pjesë e tyre, të pandërgjegjësuar bien pré e shumë mashtrimeve, pasi nuk orientohen në zgjedhjen e produktit. Ata nuk dinë se cili produkt është më i ekspozuar dhe më i rrezikuar. Joshen nga çmimi apo vendi që kanë pranë kur blejnë. Produkt i rrezikuar nga temperaturat e larta në këtë periudhë është qumështi, i cili në tregun informal vijon të tregtohet në mënyrë abuzive.
Në katër tregjet e bashkisë së Tiranës, (Ali Demi, Komuna e Parisit, Kinostudio dhe Ish-Uzina Dinamo) që në orën 4:00 të mëngjesit tregtohet në formë abuzive, nga subjekte të pa licencuar të ashtuquajtur fermerë. Këta të fundit e shesin me bidonë plastikë, duke lënë gjurmë te konsumatori përmes sëmundjeve gastro-intensinale, skuqjeve në lëkurë apo të vjellave. Konsumatori, si viktimë e këtij abuzimi nuk di as ku të ankohet, sepse nuk ka në dorë asnjë provë, si p.sh kuponi tatimor.
Në të tilla raste, cilat zyra apo institucionet shërbejnë si katalizatorë për zgjidhjen e ankesave?
Janë një sërë institucionesh, që fillojnë me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit e vijojnë më tej me Komisionin e Mbrojtjes së Konsumatorit në Ministrinë e Financave, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, Instituti i Shëndetit Publik etj. Legjislacioni shqiptar përcakton të gjitha kompetencat, që jo thjesht të japin informacion paraprak apo të edukojnë konsumatorin, por të marrin masa konkrete për mbrojtjen e tyre, sepse paguhen nga taksapaguesit.
Në njësinë nr. 2 në Tiranë pranë zonës së “Ali Demit”, po ndeshim një situatë të paprecedentë ku bashkia ende nuk po ndërhyn. Aty janë me dhjetëra tregtarë që shesin pranë kazanëve të plehrave. Është një rast abuzimi dhe papërgjegjshmërie e bashkisë, e cila së paku duhet të largojë 70 metra ato subjekte. Po ashtu, po vihen ré edhe kushte të papërshtatshme pranë plazheve, me tregtimin e produkteve që ekspozohen gjatë në diell dhe për ta nuk po merren masa parandaluese.
Zyra juaj harton apo delegon raporte mbi subjektet tregtare dhe cilësinë e ushqimeve që ato shesin në treg?
Ne po hartojmë një raport kombëtar në të 12 qarqet e vendit. Këtij raporti i nënshtrohen të gjitha njësitë dhe subjektet tregtuese në 61 bashkitë e vendit. Në po identifikojmë dhe hetojmë probleme në mënyrë të pavarur, duke bërë analiza në laboratorë të posaçëm. Po punojmë, në mënyrë që të nxjerrim një raport sa më të saktë e të detajuar, dhe subjektet që manipulojnë apo tregtojnë jashtë kritereve, t’i drejtohen organeve të specializuara, për t’u përgjigjur para ligjit. Këto subjekte do të bllokohen dhe dalin nga tregu, sepse Kodi Penal përcakton qartë përgjegjësitë penale të tyre. Ne do jemi transparentë dhe të qartë me këtë raport, në mënyrë që të parandalojmë fenomenin e abuzivizmit dhe viti tjetër të vijë më shumë siguri për konsumatorin.
Në projeksionet paraprake, çfarë mund të zbulojmë nga ky raport?
Nga të dhënat paraprake, mund të themi se në raport me vitin 2017, kemi një përmirësim dhe shtim të kontrolleve. AKU i Tiranës dhe Durrësit, të cilat kanë pasur një performancë negative kanë filluar të angazhohen dhe të kërkojnë bashkëpunim dhe shohim se janë të vendosur për të luftuar fenomenet që bien në kundërshtim me ligjin. Nga ana tjetër, mund të themi se këtu nuk ka një ligj specifik për të luftuar tregun informal. Ky është problemi më i madh në tregun shqiptar dhe pothuajse të gjitha rreziqet vijnë nga tregtimi i produkteve në këto tregje.
Pjesa më e madhe e zonave periferike, ende nuk janë bashkuar për të grumbulluar prodhimin dhe për ta shitur në një treg të licencuar. Fermerët nuk janë të ndërgjegjësuar për të bërë shërbimet sipas standardeve. Duke mos plotësuar këto kritere, ato vijojnë të ruajnë atë forcën e zakonit duke shitur në kushte të papërshtatshme. Sot për sot, këshillojmë konsumatorët të bëjnë kujdes me konsumin e ushqimeve të shpejta (alias Fast Food), të cilat ofrohen në plazhe. Ne konstatojmë se janë të rrezikshme dhe të pasigurta, ku vaji përdoret e ripërdoret mbi normat e lejuara, duke u kthyer në rrezik të madh për konsumatorin, si vrasës i ngadaltë./shekulli