Roli i bashkive në Programin “100 Fshatra” ka qenë shumë i rëndësishëm në përcjelljen e shumë informacioneve u shpreh sot Koordinatorja Kombëtare e Programit 100 Fshatra, Elva Margariti gjatë takimit mes kryeministrit Rama dhe përfaqësuesve të bashkive.
Ajo tha se, “ndërthurja e shumë aktorëve në programin 100 Fshatra është një nga pikat më të forta, por që mund të kthehej në një nga pikat më të dobëta sepse kërkon një sinergji”.
“Ju jeni një nga këta partnerë dhe unë besoj në rolin tuaj kyç sepse jeni pika më afër terrenit. Por nuk jeni vetëm, jeni të përfshirë në një panorame me multi aktorë dhe kjo e bën këtë në një program që mund të funksionojë sepse jemi bashkë”, tha Margariti.
“Roli i bashkive ka qenë shumë i rëndësishëm në përcjelljen shumë informacioneve dhe ju falenderoj për punën e bërë. Informacioni i marrë jo vetëm i bashkive, por i mbledhur dhe nga aktorë të tjerë si agjencitë, ministritë etj, janë mbledhur në një databazë dhe është krijuar një panoramë, ku vihen re disa mangësi dhe ku fshatra të caktuara nuk kanë pasur kapital njerëzor ose vizionin se cilët sektorë do përfshiheshin në këtë program”, theksoi ajo. /atsh