Ashtu si në çdo vend tjetër, edhe në Shqipëri ka treg koleksioni, ku një ndër më dinamikët është ai i kartëmonedhave. Por cilat janë tre kartëmonedhat shqiptare më të rralla e që kushtojnë më shumë? Janë padyshim ato të vitit 1926 që janë edhe kartëmonedhat e para të emetuara nga Banka Kombëtare e Shqipnis’.
Në vend të parë
Në vend të parë është kartëmonedha 1 frang/5 lekë e emetuar në vitin 1926. Kjo kartëmonedhë ka qarkulluar shumë pak kohë në Shqipëri dhe është tërhequr nga qarkullimi për shkak të një “problemi vizual”.
Studiuesi Haxhi Shkoza shkruan se kartëmonedhat 1 frangëshe (5 lekë) të printuara nga “Richter &Co” u hoqën nga qarkullimi shpejt pasi qeveria shqiptare nuk i pranoi ato. Shkak u bë fakti se kartëmonedhat 1 frang (5 lekë) kishin si element identifikues shqiponjën romake me 1 kokë dhe jo atë shqiptare dykrenare.
Christoph Zellweger në artikullin “Asi, mbreti e mbretëresha e kartëmonedhës shqiptare” të publikuar në revistën e shoqërisë së kartëmonedhave në vitin 2000, shkruan se kjo prerje është ndër më të vështirat për t’u gjetur. Duke iu referuar botimit “I Soldi d’Italia”, ai shkruan se në tetor të vitit 1926 1 frang /5 lekë e prodhuar në Itali nga kompania Richter & Co e Napolit.
Në këtë studim shkruhet:
Ndryshe nga kartëmonedhat e tjera që patën një përhapje të gjerë, kjo kartëmonedhë pati një jetë të vështirë dhe qarkulloi për një kohë fare të shkurtër. Pse? Sepse nga një dëshmi e mbledhur nga një cashier italian në vitet ’60 që kishte punuar dikur në Bankën Kombëtare të Shqipnis’, pak kohë pasi kjo kartëmonedhë nisi të qarkullojë dikush i tregoi Zogut se shqiponja romane ishte e pikturuar në kartëmonedhë ashtu sikurse ishte në monedhën 5 lira të Italisë. Zogu, i mërzitur për këtë, vendosi që ta tërheqë nga qarkullimi atë.”
Kjo kartëmonedhë, referuar informacionit nga Banka Kombëtare e Shqipnis’, duke filluar nga janari i 1927 shënoi një rënie graduale të qarkullimit të tyre nga 11 mijë kartëmonedha në 3 mijë të tilla në fund të këtij viti. Kartëmonedha mban firmën e Mario Albertit, Presidenti i Bankës Kombëtare të Shqipnis’ dhe të Amadeo Gambinos.
Vlera e kësaj kartëmonedhe origjinale vlerësohet se shkon në qindra dollarë.
Në vend të dytë
Në vend të dytë sa i përket çmimit e shpeshtësisë së gjetjes në treg, është kartëmonedha 100 franga ari me imazhin e mbretit zog, e printuar po ashtu në vitin 1926.
Zellweger shkruan se fillimisht si koleksionist kishte menduar se kjo kartëmonedhë, por e vulosur me shqiponjën dykrenare nga italianët në 1939 për të mbuluar imazhin e mbretit të arratisur ishte më e rralë megjithatë pas viteve të kërkimit kishte ndryshuar mendim. Sipas tij, në fakt kartëmonedha origjinale me imazhin e mbretit Zog është më e rrallë dhe më e kushtueshme në tregun e koleksionistëve dhe kushton qindra dollarë.
Sipas shkrimit të Zellweger, në qarkullim janë 20-30 kartëmonedha të tilla.
Në vend të tretë
Në vend të tretë renditet kartëmonedha 100 franga ari e vulosur me shqiponjën dykrenare. Ajo mban firmën e Mario Albertit dhe të Amedeo Gambinos. Vulosja u bë mbi imazhin e mbretit Zog. Sipas Zellweger, vulosja u bë në vitin 1939 dhe vetëm mbi zonën ku ishte imazhi i mbretit të arratisur, me një vulë që kishte imazhin e një shqiponje dykrenare me sipërfaqe 57 milimetra e 44 milimetra, me bojë të zezë.
Vulosja u krye menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë në 1939 dhe ato kartëmonedha që ishin të pavulosura humbisnin vlerën e tyre e nuk kishin kurs ligjor. Kjo kartëmonedhë e vulosur qendroi në qarkullim për një vit gjatë pushtimit Italian.
Edhe kjo kartëmonedhë vlerësohet se sot kushton qindra dollarë në tregun e koleksionistëve./Scan