Ambicia e qeverisë shqiptare është që standardet e sigurisë ushqimore në vendin tonë, të maten me standardet e vendeve të Bashkimit Europian.
Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi bëri të ditur sot gjatë një interpelance online me grupe interesi se, mbështetur edhe në sugjerimet e Komisionit Europian, sektori i sigurisë ushqimore në Shqipëri, do të ketë si pikë referimi sistemin irlandez.
Një grup pune nga Ministria e Bujqësisë tha Peleshi, kanë qenë në Irlandë dhe jemi duke adaptuar sistemin më të mirë të sigurisë ushqimore irlandeze në vendin tonë.
Peleshi u shpreh optimist se edhe me ndihmën e teknologjisë dhe inovacionit, sektori i sigurisë ushqimore do të dalë nga problemet e trashëguara dhe do të shënojë standardet e kërkuara bashkëkohore.
Në përgjigje të pyetjes së agrobiznesmenit Alban Zusi, për implementimin e mendimit të ekspertëve në politika e vendimmarrje, ministri Peleshi dha shembuj konkretë të këtij bashkëpunimi, si në skemat e mbështetjes, edhe në politikat fiskale.
“Ministria e Bujqësisë e sheh vlerë të shtuar bashkëpunimin me ekspertë të fushës dhe e vlerëson mendimin akademik të specialistëve të fushës. Ne do të ngremë një bord të qëndrueshëm me pjesëmarrjen edhe të ekspertëve dhe specialistëve të bujqësisë për të kontribuar akoma dhe më mirë në shërbim të këtij sektori”, – tha Peleshi. /atsh