Loading...

Mblidhet “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, Veliaj: Angazhohemi të jemi të parët

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka propozuar një kalendar konkret për dhurimin vullnetar të gjakut që do të nisë nga zbatimi në shtator. I pranishëm në takimin e parë të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”,  kryebashkiaku solli disa nga shembujt e suksesshëm të organizimeve vullnetare të Bashkisë së Tiranës në kryeqytet.

“Ajo që propozojmë konkretisht është që secila bashki të sjellë pranë këtij Sekretariati një Kalendar praktik duke filluar që pas pushimeve, pra që në shtator kur fillon viti i ri shkollor, kryesisht me fokus në universitete dhe në gjimnaze. Në Tiranë ne e kemi një përvojë të mirë të një rrjeti kapilar dhe në qendrat e banuara me ndërlidhësit me komunitetit, me administratorët e pallateve. Pra nuk shoh asnjë arsye pse të mos shkojmë deri në këtë nivel kapilar. Kur qytetarët e Tiranës mund të dhurojnë 126 mijë pemë, sigurisht që 20 mijë veta dhurojnë 20 mijë qese”, tha Veliaj, i cili shprehu besimin se qytetarët e Tiranës do të vijojnë të punojnë me këtë frymë solidariteti.

“Kam një besim të plotë se nëse do të vazhdojmë me këtë frymë, edhe nga të gjithë popullata do të kemi një përgjigje jashtëzakonisht pozitive, kështu që ne do të angazhohemi që të jemi të parët dhe të dorëzojmë një kalendar aktivitetesh. Shumë faleminderit për nismën dhe mezi presim të përveshim mëngët dhe t’ia fillojmë kësaj pune”, tha Veliaj.

Në emër të 45 bashkive që janë pjesë e rrjetit të autoriteteve vendore, Veliaj shprehu publikisht përkrahjen për këtë nismë shumë të nevojshme për shoqërinë tonë.

“Së pari, sepse besojmë që bashkimi e bën fuqinë dhe pavarësisht se këtu secili qoftë individualisht apo në organizatat respektive apo në ministri e dikastere të tjera e ka bërë këtë detyrë, sigurisht që autoriteti përbashkues i presidencës i jep një status krejt të veçantë dhe ne kalojmë nga një situatë e aksioneve sporadike, në diçka të organizuar nga kreu i shtetit dhe sigurisht që prek shtresa të popullsisë që ndoshta individualisht secili prej nesh nuk do të mund ta bënte dot. Ndaj ju falenderoj për këtë dhe besoj që jo vetëm në konsideratën time, por në konsideratën e çdo qytetari shqiptar, pasja e një presidence aktiviste, do të thotë fokusi në gjëra konkrete përtej le të themi asaj rutinës administrative të zyrës dhe institucionit është një lajm shumë i mirë dhe i shumëpritur”, tha ai.

“Për mua si kryetar i Bashkisë së Tiranës me 1 milionë banorë, 2% do të thotë mobilizimi i 20 mijë dhuruesve vullnetarë dhe ajo që ne zotohemi që ta përkthejmë këtë në një rezultat të matshëm. Ndonjëherë ka shumë ide të mira që i përqafojmë të gjithë, nëse një ëndërr nuk përkthehet në një projekt atëherë ajo ëndërr nuk realizohet kurrë, ndaj do të angazhohemi që ta përkthejmë në një projekt të matshëm për secilin nga bashkitë dhe më pas secili prej autoriteteve vendore krijon një mini-aleancë të tillë të tillë në qytetin e vet me secilën prej degëve apo drejtorive përkatëse për të arritur këtë target”, deklaroi Veliaj.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka ngritja e këtij rrjeti solidariteti në të gjithë vendin dhe apeloi për rritjen e numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut.

“Ngritja e një rrjeti të solidaritetit për dhurimin e gjakut në të gjithë Shqipërinë për përfshirjen e shoqatave dhe të kryetarëve të bashkive përmes organizimit të aktiviteteve të ndryshme publike si koncerte, apo aktivitete sportive duke u fokusuar sidomos në zonat më me prioritet ku dhe kërkesat janë më të mëdha, sidomos sa i takon  kategorisë së Talasemikëve si Lushnja, Fieri etj. Krijimi i një mjedisi të përshtatshëm për dhuruesit e gjakut duke e bërë eksperiencën e dhurimit të gjakut një proces të sigurt. Sigurimi i dhuruesve që kontribuojnë rrallë duke i kthyer në kontribues të rregullt dhe krijimi i një statusi të veçantë për ta”, nënvizoi Meta. /atsh

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com