Kryeministri Edi Rama, në takimin e përjavshëm me koordinatorët e platformës së Bashkëqeverisjes, theksoi rëndësinë gjithnjë e më të madhe që po merr kjo praktikë për qytetarët, të cilët marrin të drejtën e tyre duke u ankuar në portal, por në të njëjtën kohë ndihmojnë në identifikimin e shkaktarëve të padrejtësive dhe ndëshkimin e tyre.
Kryeministri Rama falënderoi gjithë qytetarët që janë ankuar në portalin e Bashkëqeverisjes, të cilët, siç theksoi ai, jo vetëm kanë zgjidhur problemet e tyre, por po kontribuojnë me dëshmitë e tyre që të tjerë qytetarë, të dëgjojnë të vërtetën e thjeshtë të funksionimit të platformës.
“Duke iu drejtuar platformës, ata zgjidhin dy probleme, vënë të drejtën e tyre në vend dhe identifikojmë punonjësit që meritojnë t’u hiqet veshi, të ndëshkohen administrativisht e të largohen nga puna kur kanë gabuar shumë e të shkojnë në ndjekje penale kur bëhet fjalë për një faj që ndëshkohet nga ligji”, theksoi kryeministri Rama. /atsh