Rasti i dytë që lidhet me hipotekat ishte ai i një familjeje që vuante prej 8 vjetësh një gabim të zyrës së regjistrimit të pasurisë. Kryeministri Edi Rama vuri në dukje se bëhej fjalë për një të drejtë elementare të mohuar për 8 vjet në mënyrë të papërgjegjshme. “Kjo është arsyeja që unë besoj se ky instrument që ne kemi zhvilluar, platforma e bashkëqeverisjes është një armë shumë efikase në dorën e çdokujt, që bën drejtësi e jo vetëm zgjidh problemin por bën që edhe ata që janë shkaktarë të padrejtësive të ndëshkohen”, nënvizoi kryeministri Rama.
Ai informoi se po përgatitet edhe raporti i masave ndëshkimore, në kohë reale, me emër dhe mbiemër për çdo punonjës që është shkaktar i këtyre situatave.
“Task forca e Antikorrupsionit po bën një punë voluminoze. Paralelisht me platformën ka një proces kontrollesh e auditesh të befasishme në gjithë trupën institucionale të vendit dhe raportet e masve po konsolidohen dhe kur të jenë plotësisht të konsoliduara do jenë transparente për publikun”, theksoi ai.
Kryeministri shtoi se në këto takime për platformën, vijnë edhe raste që janë dëshmi nga fushata e llogaridhënies. “Ndryshe nga sa është menduar duke parë nga ekrani, fjalët e qytetarëve nuk i ka marre era dhe çdo ankesë është mbajtur shënim dhe është trajtuar dhe në çdo rast që qytetari ka pasur të drejtë është adresuar e drejta dhe është vënë në vend”, përfundoi Kryeministri. /atsh