Njoftim nga Shoqata Kallarati:
Njoftim për ndarje nga jeta të HAJDILI JONUZAJ
Duke kërkuar ndjesë për vonesën, njoftojmë bashkëfshatarët kallaratas, në mënyrë të veçantë ata me banim jashtë vendit, se më 19 qershor 2018, është ndarë nga jeta Hajdili Jonuzaj.
Kryesia e Shoqatës “Kallarati” i shpreh ngushëllimet më të thella e të sinqerta familjes dhe të afërmve të saj në Kallarat, Kuç e kudo tjetër. Qoftë i paharruar emri dhe kujtimi i saj!
Më tepër rreth jetës së saj mund të lexoni nekrologjinë, përcjellë nga bashkëfshatari, Luto Demiraj.
Hajdili Rexho Jonuzaj u lind në fshatin Kuç më 25 prill1941 në familjen me tradita atdhedashëse të Rexho e Muzikë Lalajt. Ishte martuar në Kallarat me Besim Murat Jonuzajn, në një familje bujare e atdhetare. Hajdilia ishte një grua punëtore, e urtë, fjalëpakë, me sjellje e marrëdhënie shembullore, e dashur e mikpritëse. Bashkë me bashkëshortin e saj Besimin dalloheshin për punë të palodhur në sektorin e bujqësisë të kooperativës së fshatit. Të dy bashkëshortët kishin lindur, rritur dhe edukuar katër fëmijë me vlera të larta për familjen dhe shoqërinë: djemtë Agurim e Dasho dhe vajzat Evgjeni e Leonora, njerëz punëtorë, të sjellshëm e të dashur.
Hajdilia u përcoll me nderime për në banesën e fundit në Kallarat nga fëmijët dhe familjarët e tjerë, nga të afërmit e saj kuçiotë, bashkëfshatarët kallaratas dhe miq e shokë të familjes. La pas fëmijët, bashkëshortin dhe kujtimin e mirë të saj.
Qoftë i paharruar emri dhe kujtimi i saj!
Luto DEMIRAJ