Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla ka sqaruar opinionin publik mbi procesin e shpërndarjes në kohë të dëftesave për nxënësit e sistemit parauniversitar.
Në një intervistë dhënë për ERTV, Nikolla ka bërë të ditur se pasi janë pajisur me dëftesa e diploma maturantët që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë vendit, shpërndarja po vijon deri në nxënësin e fundit, ndërsa sistemi parauniversitar po përfshihet nga një reformë e thellë për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe modernizimit të mëtejshëm.
Akuzës së deputetit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi lidhur me një gabim teknik që është bërë në dëftesat e arsimit parauniversitar, më konkretisht në numrin rendor, Nikolla e ka konsideruar si një mënyrë të cilën PD, sipas saj, zgjedh të turbullojë ujërat, në kushtet e një partie që ka humbur çdo kauzë.
Lidhur me gabimin teknik që është bërë, që sipas ministres është kapur në kohë nga vetë Ministria para bërjes publike nga ana e deputetit Boçi, ajo tha se kjo e fundit nuk ka asnjë kosto për nxënësit.
“Dëftesat janë shpërndarë. Kanë shkuar në shkolla dhe mësuesit po bëjnë plotësimet. Nuk ka asnjë lloj problematike që lidhet me ndonjë kosto shtesë për nxënësin dhe asnjë pamundësi për t’u regjistruar në shkolla”.
E pyetur mbi problematikat në sistemin e arsimit, Nikolla ka shpjeguar se ende ka çështje të pazgjidhura, ndërsa veçoi problemin e cilësisë së mësuesve dhe emërimin e drejtorëve.
“Ka ende probleme të pazgjidhura, ende rrugë të gjatë për të thënë që fëmijët shqiptarë meritojnë një sistem arsimor. Çështja e cilësisë së mësuesve dhe drejtori i shkollës. Dy çështje që i riadresojmë me ndryshimet ligjore. Unë e besoj që këto janë parakushte për të pasur arsim cilësor”. Sipas saj, përmes portalit “Mësues për Shqipërinë” bëhet edhe emërimi i mësuesve më cilësorë, larg politikës.
“Shkolla e drejtorëve do të bëjë të mundur që ne të kemi një histori të re në krye të shkollave, jo vetëm larg politikës dhe korrupsionit, por më e rëndësishmja, që i kthen shkollat realisht në qendra të edukimit qytetar dhe ku mundësohen standarde më të mira për të gjithë nxënësit”, -përfundoi Nikolla./atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155965124456523/?t=0