Me qëllim kryerjen e një procesi përzgjedhës të drejtë, të paanshëm dhe transparent, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës dhe mosdiskriminimit, Policia e Shtetit bën me dije të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të konkurrojnë në Akademinë e Sigurisë për “Patrullë të Përgjithshme”, se në 20 Korrik 2018, hapet procesi i aplikimeve për të gjithë kandidatët e interesuar të ndjekin studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”.
Aplikimi do të bëhet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm. Procesi i aplikimit është i hapur deri në 20 Shtator 2018 dhe formularët e aplikimit mund të tërhiqen pranë çdo Drejtorie Vendore të Policisë.
Në përfundim të të gjithë procesit të konkurrimit do të përzgjidhen 150 kandidatë fitues, të cilët do të vazhdojnë Shkollën Bazë të Policisë, nga të cilët 19 % për gjininë më pak të përfaqësuar dhe 1.9% për minoritetet.
Kur nuk plotësohet kuota e përcaktuar për gjininë më pak të përfaqësuar dhe minoritetet do të merren në rend zbritës aplikantët, të cilët përfaqësojnë po këto kategori, por që duhet të kenë arritur minimumin e pikëve për t’u shpallur fitues. /atsh