Investimet e huaja direkte në vendin tonë kanë shënuar një rritje prej 62% në tremujorin e parë të këtij viti.
Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato deklaroi në një emision televiziv se nuk ka vend për aludime për të thënë se investimet e huaja kanë pësuar rënie, duke nënvizuar të kundërtën.
“Fakti që tremujori i parë i vitit 2018 ka shënuar një rritje prej 62% të investimeve të huaja direkte në vendin tonë, me një shifër rreth 218 milion euro të shtuara nga një vit më përpara, tregon që nuk jemi në kushtet ku ka hezitim nga ana e investorit të huaj. Nëse vlen për të orientuar opinionin publik, një dëshmi personale e imja për shkak të pozicionit që mbaj, fakti që unë takoj shumë shpesh gjatë ditës të punës investitorë të huaj që kanë projekte konkrete dhe kërkojnë të investojnë në Shqipëri, kjo tregon që sa më shumë ne të jemi të gatshëm për t’i mirëpritur investimet e huaja direkte në vend dhe sa më të shkathët të jemi për t’i kapur në kohë reale këto propozime që na vijnë, aq më shumë të suksesshëm do të jemi në fund të këtij viti, për të dëshmuar se investimet e huaja direkte në vend nuk kanë rënë dhe TAP-i nuk është i vetmi investitor le të themi që do te prishi bilancet e investimeve të huaja në vendin tonë”, -theksoi ministrja.
Më tej, ajo u shpreh optimiste lidhur me investimet në turizëm, çka sipas saj u vjen në ndihmë paketa fiskale e miratuar tashmë nga qeveria.
“Unë jam shumë optimiste në këtë aspekt. Më bëjnë optimiste politikat fiskale me të cilat po orientohet ekonomia gjatë këtij viti të parë, të mandatit të dytë qeverisës. Ne kemi krijuar lehtësira fiskale shumë të rëndësishme në fushën e turizmit dhe po nxisim shumë fushën e agroturizmit. Në mënyrë indirekte jemi duke nxitur investime shumë të rëndësishme në infrastrukturë, në energjetikë dhe të gjitha këto janë komponentë shumë të rëndësishëm që e bëjnë një investitor të vijë në Shqipëri. Sepse kushtet që ne ofrojmë si vend janë kushte shumë të mira”, – përfundoi Qato.atsh