Loading...

Shënime udhëtimi/ Mos dil jashtë Shqipërisë po s’pate vizituar Sazanin

Nga Xhuliana Jakimi

Çdo herë që vizitoj perlat e natyrës shqiptare bindem akoma më shumë që nuk ia vlen të udhëtosh jashtë Shqipërisë pa prekur mrekullitë që na ka falur natyra.

Destinacioni i radhës ishte Vlora. Këtë herë bashkëudhëtare kisha dy miket dhe koleget e mia. Ishte ndryshe, udhëtim pune e qejfi, por pa përcaktuar agjendë. Isha veriorja e privilegjuar mes mikeve të jugut.

Me të arritur në qytetin bregdetar, theksi i vlonjatëve ngjalli kërshërinë time për t’i dëgjuar me vëmendje. “O derman, o vëlla, o cole…” fjalët që dëgjon më së shumti për të treguar përzemërsinë ndaj të tjerëve. Në dukje të ftohtë e të prerë, por nëse iu “zë derën” kupton që janë miq të çmuar. Ndërsa ironia e hollë i shoqëron edhe në shakatë e tyre.

Kafen e mëngjesit e shijuam përballë detit te porti i Vlorës, ndërsa nisja me anije për në Sazan e në brigjet e Karaburunit u bë rreth orës 9:30. Koha nuk qe shumë premtuese, herë dielli ngrohte mbi ne, e herë zhdukej mes reve. Megjithatë ishim të vendosura që me apo pa diell do e shijonim udhëtimin.

Valentina, guida, një zonjë e respektuar që mbi kokë mbante kapelen e marinarit, na tregonte rreth Sazanit e Karaburunit si dhe historive gjatë udhëtimeve.

“Pothuajse çdo ditë në shohim delfinë në det. Ka raste që dhe na shoqërojnë në udhëtime”, na tha Valentina. Ndërsa ne shihnim mes dallgëve mos do na nderonin si vizitorë për herë të parë të Karaburunit. Por jo. S’i pamë gjëkund.

“Një herë kemi parë dhe një fokë në det. Doli vetëm për disa sekonda. Në memorien time më kanë mbetur sytë e mëdhenj dhe të zinj”, tregoi më tej ajo. Gjithësesi, ne nuk qemë aq fatlumë që të shihnim foka e delfinë.

Pas rreth dy orësh udhëtim mes detit, pamë tokë. Ishte Sazani. Sa më shumë afroheshim, aq më shumë shtohej dëshira për ta prekur nga afër.

Një pamje aq piktoreske me larmishmëri ngjyrash. Jeshile, të verdhë, të kuqe, blu… thjesht mrekulli. Para nesh kish mbërritur një tjetër anije. Nuk ishte një port modern, por kishte gjurmë të një porti ushtarak të braktisur.

Hapat e Valentinës ishin busulla jonë e orientimit drejt eksplorimit të Sazanit, “qytetit të braktisur” siç e quante ajo. Bunkierë kudo, vagonë të prishur, shina, qendër spitalore e pabanuar, shkollë, ndërtesa.

Zhurma që krijohej nga flladi mes pemëve e cicërimat e zogjve ishin melodia që na shoqëroi në ngjitje, ndërsa ajo çka shihnim fliste për historinë e kësaj zone.

Imagjinata ime ndizej vetvetiu, e dëshira për të jetuar aty shtohej më shumë. Nga lart e gjithë vija bregdetare dukej nën monitorimin tim, e ndihesha perëndesha e asaj mrekullie.

Por thirrja e Anxhelës më nxorri nga bota që unë kisha krijuar për disa sekonda. “Na ka marrë uria. Do hamë ndonjë byrek?”. Mes natyrës, e një pamje që ç’të them, në fakt edhe oreksi të shtohet. Ia shtruam mes natyrës, e falenderonim mamin e Invës për duart e arta që ka e që na gostisi mirë e mirë.

Ndonëse nuk donim, ora kish kaluar shpejt e duhej të udhëtonim drejt brigjeve të Karaburunit. Hipëm në anije, e teksa po i largoheshim ishullit, isha e sigurtë që një ditë do kthehesha sërish, për ta shijuar dhe më gjatë.

Anija ankoroi në Shën Vasil. Ndryshe nga Sazani, aty kishte lokale e shezlong. Zumë një çadër, e si të babëzitura hodhëm çantat e u zhytëm në det për të mos dalë për rreth një orë. Dielli na ledhatonte fytyrat, ndërsa deti u tregua miqësor me ne, duke qetësuar dallgët.

Në mbrëmje për herë të parë do kishte dhe koncert. Djemtë e lokalit na ftuan të qëndronim, por na duhej të largoheshim. Pas një pasditeje të gjatë e të shkurtër njëkohësisht; pa internet, pa punë, mes të qeshurave, detit, diellit e gurëve, duhej të ktheheshim.

Teksa po visheshim, po shihnim njëra-tjetrën. Dielli e kripa kishin bërë harta në trupin tonë. Vende vende të skuqura, diku më bardhë e ca pjesë të nxira mirë.

Dielli na shoqëroi gjatë kthimit. Ai pasqyronte mbi det, ndërsa një erë e lehtë luante mbi fytyrat tona. Perëndim më të bukur s’kisha parë, por jam e sigurtë që udhëtime akoma më të bukura do të ketë./politiko.al

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com