Të gjithëve na ka ndodhur të paktën një herë të zhgënjehemi nga ata që nuk e prisnim. Dikush tjetër ka provuar ndarjen nga jeta të dikujt që ka ndikuar shumë në jetën e vet. Një person tjetër ka marrë një lajm të rëndë lidhur me një sëmundje të pashërueshme. Ngjarjet stresuese nuk kanë të mbaruar…
Nga gjithë këto ngjarje të duket sikur ashtu siç po shkatërrohet e tashmja jote nga stresi i tepërt, ashtu do të shkatërrohet edhe e ardhmja jote. Gjithçka të duket e pavlerë, për aq kohë sa nuk mund t’i besosh askujt dhe mbi të gjitha, kur nuk do të kesh kohën e mjaftueshme për të jetuar.
E di që është e lehtë të shkruaj për diçka që ndoshta nuk e kam provuar. Unë mund të mos kem kaluar në situatën e vështirë nëpër të cilën po kalon ti, por ajo çfarë dua të të bëj të kuptosh është se e shkuara duhet të mbetet në të shkuarën. Ajo çfarë duhet bërë, është të mos shohim mbrapa. Nuk ka të ardhme më të mirë, nëse mbetemi akoma tek ato që na kanë ndodhur.
Jeta kërkon guxim dhe nëse ti nuk e gjen këtë guxim për të ecur përpara, atëherë nuk ke për të avancuar në jetë.
Dikush të la dhe ti akoma mendon se ku gabove me të. Mos u mendo gjatë. Dikush tjetër me më tepër humor dhe me një zemër më të madhe do të hyjë në jetën tënde.
Mjeku të dha lajmin e hidhur që nuk të ka mbetur shumë kohë. Hiqe nga mendja një lajm të tillë dhe përpiqu të realizosh gjithë gjërat që ke pasur dëshirë t’i realizoje.
Personi që ke dashur më shumë, u nda nga jeta. Duhet të kuptosh se të gjithë atë fat do të kemi. Normalisht je përballë një fakti tepër të rëndë për t’u pranuar, por duhet të ecësh përpara. Mos e harro atë person, por kujto edhe se duke e menduar atë shpesh, koha e jetës tënde po kalon dhe ti nuk je duke bërë ato gjëra që duhet të bëje në jetën dhe të përditshmen tënde.
Edhe në shumë e shumë raste të tjera, unë dua që ti të gjesh forcën brenda vetes dhe të pranosh atë që po të ndodh. Mund të të duket e vështirë, por nuk është e pamundur.
Pas një shiu të furishëm del ylberi dhe ti e di mire këtë gjë. Ti e ke mundësinë të ecësh përpara me siguri. Mund të mos e besosh, por secili e ka këtë mundësi. Nëse punon fort për t’ia dalë mbanë, mund t’ia dalësh. Ngjarjet e rënda duket sikur të dobësojnë, por nuk është kështu. Ato të forcojnë aq shumë saqë nuk e beson.
Nëse je pranë një personi që ndodhet në situatë të vështirë, mos rri mospërfillës ndaj tij. Përpiqu t’ia lehtësosh dhimbjen duke ia hequr mendjen nga ajo që i ka ndodhur. Thjesht duke i thënë se sa bukur duket sot, se sa buzëqeshje të bukur ka, apo se sa mirë e ka bërë një punë të caktuar, ti bën që personi tjetër të ndihet mirë. Nuk e ke idenë se sa fuqi ka një fjalë e thënë me sinqeritet, apo një kompliment i bërë spontanisht, si rrjedhojë e momentit.
Dhe së fundmi, unë të kërkoj t’i mendosh gjërat pak më thellë. Me kalimin e kohës, edhe ngjarjet shtohen. Ti duhet të marrësh më të mirën prej tyre. Në një ngjarje të bukur, ruaji kujtimet më të bukura dhe në një ngjarje të rëndë, ruaj forcën dhe besimin që ato të shtojnë në vete. Mendo gjithmonë se jeta është e vështirë, por vështirësia shtohet akoma më shumë nëse ti e ngarkon me mendime negative se mund të mos jesh mjaftueshëm i/e fortë për t’ia dalë mbanë.
Ti mundesh dhe çdo ditë duhet t’ia kujtosh vetes këtë fakt. Nuk ka gjë që mund të të rrëzojë, sepse ke kaluar në ngjarje më të vështira dhe ia ke ndalë mbanë.Ti ke besimin në vete që të shoqëron në çdo hap, ndaj hidhe pas krahëve të shkuarën, jetoje të tashmen dhe fokusohu tek ato që duhet të arrish në të ardhmen.
Njerëzit më të fortë janë ata që kanë kaluar nëpër një të shkuar të vështirë…/njekomb