Kokaina rekord me vlerë 180 milionë euro ka tronditur politikën dhe drejtësinë. Biznesmeni Arbër Çekaj është në duart e gjermanëve dhe po zbërthen skemën ku rezultojnë të përfshirë eksponentë të lartë. Kjo është edhe arsyeja e mosekstradimit të tij drejt Tiranës.
38-vjeçari me origjinë nga Tropoja besohet se ka dhënë shpjegime të vlefshme mbi rolin e tij dhe skemën e trafikimit të drogave të forta. Ai u arrestua në një provincë të Dyzeldorfit më 4 maj dhe për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë përdorte identitet të dyfishtë me mbiemrin Jansen.
Për ngarkesën rekord të kokainës së kapur ndonjëherë në Shqipëri, vijojnë të mbeten pas hekurave vetëm shoferi i kamionit Armando Pezaku dhe menaxheri i firmës, Donaldo Lushaj, ndonëse dyshohet se në këtë ngarkesë janë të implikuar disa grupe kriminale. Dosja po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe task forca speciale e policisë për operacionin “forca e ligjit” prej 5 muajsh.
Prokuroria njoftoi të enjten bllokimin e dy llogarive bankare për llogari të subjekteve të “Arbri Garden” dhe “Ecoalmax shpk”, në vlerën e 38 mijë dollarëve dhe 10 milionë lekëve./pamfleti