Një burrë i moshuar është konsideruar i rrezikshëm nga Policia e Elbasanit, ndaj atij i është sekuestruar arma e gjahut me leje në krevat.
Në “Fiks Fare” u ankuan dy djemtë e z.Petrit Debrovës, i vitlindjes 1941 (77 vjeç). I moshuari jeton në fshatin Shna Vlash ne Gramsh. Ai ka pasur në përdorim një armë gjahu prej shumë vitesh. Në Gjendjen Civile është i ndarë nga djemtë dhe jeton me bashkëshorten. Para disa muajsh, Policia e Elbasanit merr një vendim dhe ia heq armën.
Djemtë e tij thonë se Petriti s’ka asnjë konflikt, është i sëmurë, rri shtrirë në krevat dhe nuk lëviz dot. Por, sipas tyre, policia ka gjetur një sebep, pasi një nga djemtë e Petritit ka pasur një konflikt dhe ia kanë hequr.
Fiksi transmetoi momentin kur punonjësit e policisë shkuan në banesën e z.Debrova. Disa agjentë të policisë i shkuan 77-vjeçarit në shtratin e lëngimit dhe i kërkuan me ngulm armën e gjahut. Petriti nuk pranoi t’u jepte armën, me pretendimin se nuk kishte bërë asnjë vepër penale, madje nuk ishte i rrezikshëm. Nga shtrati, ai i thotë punonjësve se me dëshirën e vet nuk ua jep armën.
“Nëse e gjeni, merreni. Unë nuk ua jap, s’kam bërë asnjë vrasje” thotë ai. Familjarët u thonë punonjësve të policisë se Petriti armën e ka që në vitet ’60 – ’70.
Megjithatë, pas negociatave disa orëshe, punonjësit e policia ia marrin me forcë armën, teksa i thonë Petritit se kështu ka vendosur komisioni. Policët i thonë se arma është e tij dhe do ia japin pas disa javësh.
Por, megjithëse kanë kaluar muaj nga ajo ngjarje, arma ende është e sekuestruar dhe nuk dihet ku është.