Mmm! Sallata me patate dhe kastravecë mund të përgatitet edhe shumë kohë para se të shërbehet dhe të ruhet në frigoriofer.
Përbërësit:
1 kastravec; 1 qepë e kuqe; 6 domate qershi; 80 gr djathë i bardhë; ullinj të zinj (pa bërthamë); 800 gr patate (të vogla); 6 lugë vaj ulliri; 3 lugë ujë (i ngrohtë); 3 lugë lëng limoni; 1 thelpi hudhër; 1 lugë mjaltë; 1 lugë mustardë; rigon; kripë; piper.
Ja përgatitja:
Fillimisht lani patatet, futini në një enë me ujë të ftohtë të kriposur dhe vërini në zierje për rreth 30-35 minuta. Hiqini nga zjarri, qërojini dhe pasi të ftohen pritini në feta rrethore me trashësi rreth 1 cm. Lani mirë kastravecin dhe pa e qëruar priteni në fillim së gjati dhe pastaj në gjysmë rrathë.
Qepën grijeni në feta shumë të holla rrethore.
Pastaj futni në mikser të gjithë përbërësit e dresingut bashkë me thelpinë e hudhrës së qëruar dhe miksojini derisa të bëhen pure. Hidhni në një tas sallate patatet dhe kastravecët. Hidhuni përsipër domatet qershi (ose të tharat), qepën e kuqe, ullinjtë e zinj. Rregullojini me dresingun që keni përgatitur duke u kujdesur që ta shpërndani mirë. Në fund thërrmojini djathin e bardhë dhe hidhini rigon. Mund ta shërbeni menjëherë ose ta ruani në frigorifer derisa të vijë koha për të shtruar tryezën.