Lëvizja Socialiste Për Integrim e kushtëzon votën e saj për projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të njohur si projektligji për shkollën e magjistraturës, me ndryshimin e ligjit për koncesionet. Në një intervistë për Tema TV, Naço lë të kuptohet se mazhoranca duhet të marrë parasysh propozimin e LSI-së për ligjin për koncesionet, të depozituar para dy vitesh.
Naço tha se projektligji i propozuar nga dy deputetët e mazhorancës, Manja dhe Bushka, është një projektligj blic dhe i hartuar sipas interesave të mazhorancës.
LSI kërkon që në ligj të futet koncepti i “vlerësimit të alternativës”. Në vlerësimin e marrëveshjes të përfshihen aktorë të tjerë, si dhe të futen Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë. Po ashtu, në vlerësim të përfshihet avokatura e shtetit”, citohet në kërkesë. Sipas përfaqësuesve të LSI, në ligjin e Partneritet Publik-Privat të përfshihet edhe Kuvendi i Shqipërisë.
Ndërkohë, Naço i quajti spekulime deklaratat e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, se është në negociata zyrtare me LSI-në. Po ashtu një ditë më parë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, nëpërmjet një statusi në “Facebook” tha se nuk do të bëhet pjesë e asnjë pazari me Partinë Socialiste./Pamfleti