Raporti më i fundit ka treguar se situata ekonomike e vendit i bën shqiptarët të ndihen më inferiorë se të tjerët si dhe më të përjashtuarit në shoqëri, e ata kanë shumë frikë të jenë të varfër pasi shoqëria këtu i nënçmon.
Në Barometrin e Balkanit, 33% e të anketuarve shqiptarë kanë pohuar që kanë frikë se mund të bien në varfëri dhe kjo është përqindja më e lartë në rajon dhe shumë më e lartë sesa mesatarja rajonale prej 24%. Në Kosovë, kjo peshë është 26%, në Mal të Zi 21%, Maqedoni 27%, Bosnjë20%, Serbi 21%.
17% e të anketuarve shqiptarë pohojnë se ndihen të përjashtuar nga shoqëria, sërish më e larta në rajon dhe 15% pohojnë se i shohin si inferior për shkak të situatës së tyre me të ardhurat dhe punën, shkruan Monitor.
Një pjesë e madhe e shqiptarëve janë përgjigjur se nuk e kanë të sigurt vendin e punës për vitin e ardhshëm duke arritur sërish përqindjen më të lartë në rajon në 31% .
85% e shqiptarëve mendojnë se diferenca mes të pasurve dhe tëvarfërve është rritur në ekonominë e tyre duke u radhitur kështu pas Bosnjës (92%).
Ky raport është bërë për të vlerësuar statusin social të qytetarëve të të gjithë Ballkanit. Ata që janë mbi nivelin mesatar mendojnë se nuk po rritet niveli i diferencës mes të varfërve dhe të pasurve, ndërsa ata që e quajnë veten nën nivelin mesatar mendojnë se kjo diferencë po rritet./korrieri