Profesioni ia deshi të kalonte shumë kohë në Lulishten e Skënderbeut, ku ka shkrepur mijëra fotografi.. Ndaj, Roland Tasho është një nga njohësit më të mirë të qendrës së Tiranës. Në një ekspozitë të hapur së fundmi, Tasho u paraqit me një kolazh fotografish nga qendra e Tiranës, ku paraqiteshin shndërrimet e shumta qe kane ndodhur me te ne vite.
Por kur nisi ai të fotografoje Tiranën?
“E kam fotografuar kur nisa të punoj si fotograf në vitin 1985, pastaj kam fiksuar të gjitha ndryshimet e radhës. Kam 5 apo 6 fotografi të qendrës së Tiranës në faza të ndryshme. Unë kam punuar një vit në lulishten e famshme pas Skënderbeut, në vitet 1982-1983. Madje, së fundi e kam imagjinuar një dialog mes teatrit dhe lulishtes, ku kjo e fundit i thotë: “Eh mor teatër, ti i ke 2-3 njerëz që të mbrojnë, kurse mua, që jam lulishtja më e famshme në Shqipëri, nuk më mbron njeri”. Ka qenë me të vërtetë një lulishte e famshme, pasi kushdo që vinte në kryeqytet, nuk mund të largohej pa bërë më parë një fotografi në të, duke pasur pas Skënderbeun apo 15-katëshin. Pas çdo eventi në Tiranë, do të shkrepej edhe një fotografi te lulishtja”, tha Tasho per Panorama.
Kur ishte “piku” i fotografive”?
Për fillim shkolle, mbarim shkolle, fillimin e ushtrisë, pa përmendur festat e mëdha, si 1 Majin, Festat e Nëntorit, ku atje nuk kishte ku të shkelje nga numri i madh i njerëzve. Nga ajo lulishte mund të shkruhet fare mirë edhe historia e Tiranës. Më ka entuziazmuar pa masë projekti i “kthimit në identitet”, pasi kur isha fëmijë kemi ndenjur te Bashkia, te reklamat dhe mendova se do të kthehej edhe pamja e sheshit dhe ndërtesat e famshme, si kanë qenë dikur. Do të ishte një shesh ashtu si është projektuar në kohën e Mbretit Zog, i dashur, i komunikueshëm, i ngjashëm me ata që shohim në Europën, ku ne duam të jemi pjesë.
Ju përmendët lulishten e Skënderbeut dhe një sërë ndërtesash historike që nuk janë më, ndërkohë që një tjetër godinë e tillë, ajo e Teatrit Kombëtar rrezikon shembjen, si e gjykoni?
E kam ndjekur me shumë interes këtë çështje dhe e mbështes kauzën e atyre artistëve dhe qytetarëve që po luftojnë për të mbrojtur atë godinë. Dhe kjo nuk ka lidhje me një godinë, me Teatrin, por me simbole, me identitetin. Nuk është justifikim, që ajo godinë është vetëm 80 vjeç. Shumë shpejt ajo bëhet 100. Tek e fundit, kjo është historia jonë. Ne të gjithë kemi vizituar qytete europiane dhe e dimë se qendrat historike nuk preken. Meqë kryetari ynë ishte në Pragë, pikërisht, në atë qytet ka 250 vjet që nuk ndryshon asgjë në qendër. Madje, as i shkon ndokujt në mendje një gjë e tillë. Përveç ndonjë pastrimi fasade apo ndërrim xhami, asgjë tjetër nuk është e lejueshme. Është e vërtetë që edhe atje janë ndërtuar ndërtesa moderne, por jo në qendër, në periferi, si të ishte në Laprakë. Madje, edhe për atë, komuniteti i atjeshëm u ngrit kundër, por bëhej fjalë për një ndërtesë shumë të veçantë dhe në periferi, që më në fund u lejua të ndërtohej. Kjo që ndodh në vendin tonë është fyese, revoltuese. Si qytetar i Tiranës e konsideroj të papranueshme.