Në 3 vitet e fundit intensiteti i aktiviteteve argëtuese kulturore e sportive në Vlorë, ka shënuar një rritje të dukshme, duke u shumëfishuar krahasuar me periudha paraardhëse.
Iliana Paparizo, ose Anka sikundër e thërrasin në mjediset artistike në Vlorë, këshilltare për Turizmin dhe Kulturën në Bashki, nënvizon se, aktivitetet kanë impakt të drejtpërdrejtë në promovimin e vlerave turistike të bregdetit dhe të të gjithë territorit, ndërkohë që krijojnë atmosferë festive dhe tërheqëse për pushuesit dhe turistët e huaj.
“Ne po punojmë për të krijuar produktin turistik “Made in Vlora” dhe për ta shtrirë turizmin përgjatë gjithë vitit”, – thekson ajo në një intervistë për ATSH-në.
– Tri ditë më parë, u zhvillua “Opera në Jeans”, që mblodhi në një nga sheshet pranë Lungomares një numër të madh qytetarësh, artdashës vlonjatë dhe pushues. Ishte befasues për ju ky fakt, kjo pjesëmarrje kaq e madhe në një aktivitet disi specifik?
Në fakt, unë do të thosha që ky ishte koncerti i radhës, një nga ato aktivitete të shumta që janë zhvilluar këtë vit në Vlorë. Po e filloj me atë që u zhvillua në datën 14 mars, që ishte një koncert shumë i veçantë , për të vazhduar më pas me gjithë ditët e aktiviteteve që ne zhvilluam në çelje të sezonit turistik. Këtu kam parasysh çeljen zyrtare të sezonit turistik, sepse dua ta ritheksoj se, këtë vit, sezoni turistik real, ka nisur që në muajin prill. Por, ajo që ndodhi të dielën në mbrëmje, “Opera në Jeans”, në bashkëpunim me Teatrin e Operas dhe Baletit, ishte një nga aktivitetet më të mëdha që janë zhvilluar deri tani në qytetin e Vlorës. Kishte një pjesëmarrje mbi 2000 qytetarë artdashës, por edhe mjaft të tjerë që rrinin në këmbë, për shkak se aq ishte kapaciteti i vendeve të ulura që kishim parashikuar. Ishte një pjesëmarrje e pazakontë, në një atmosferë shumë të veçantë, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri, Edi Rama, si edhe mjaft turistë vendas e të huaj, mjaft prej të cilëve shprehën vlerësime për këtë aktivitet. Duke shtuar edhe faktin se, vendi i zgjedhur për të, ishte pranë Lungomares, në Sheshin Marina, janë të mjaftueshme për të thënë se, kjo është sot Vlora, ose siç kam dëshirë ta perifrazoj “New Vlora” e turizmit, e aktiviteteve, e profilit festiv, Vlora ndryshe, Vlora e pushuesve nga zona të ndryshme të vendit, e turistëve nga e gjithë bota, e shqiptarëve nga të gjitha trevat.
– Prej tre vitesh ka një shumëfishim të aktiviteteve kulturore në Vlorë, veçanërisht gjatë muajve të sezonit turistik. A është kjo pjesë e strategjisë së Bashkisë për të krijuar atmosferën e përshtatshme për turistët e huaj dhe vendas, apo edhe një mundësi dhe mënyrë promovimi e përfshirjeje?
Në Vlorë mund të shijosh llojet e ndryshme të turizmit, veç atij bregdetar, ku përfshihen turizmi malor, ai i aventurës, turizmi kulturor etj etj. Të gjitha këto së bashku, marrin një vlerë tjetër, duke shtuar edhe aktivitetet që ne bëjmë.
Por, këtu ka edhe një fakt; ndryshimi dhe përmirësimi tërësor i infrastrukturës. Kjo është shoqëruar edhe me krijimin e hapësirave të reja, të vendeve të përshtatshme për të organizuar aktivitete të llojeve të ndryshme dhe që krijojnë mundësi të shumta promovimi. Mjafton ta nis me Lungomaren, për të vazhduar me Kinemanë Verore, sheshin më të ri, ish Marina, që ishte një hapësirë tërësisht e harruar deri pak ditë më parë dhe që u shndërrua në një amfiteatër të vërtetë të promovimit të vlerave me “Opera në Jeans”, për të vijuar me terrenet e reja sportive përgjatë bregdetit, me Ballkonin e Vlorës etj etj. Përmes aktiviteteve ne, sigurisht që promovojmë Vlorën. Por, nuk mjaftohemi vetëm me këto hapësira. Mjafton të përmend që, një nga aktivitetet e planifikuara në vijim do të zhvillohet në Kalanë e Kaninës, e cila ka vlera të shumta historike. Pjesë e kalendarit të aktiviteteve të zhvilluara deri tani ka qenë edhe Llogoraja, ku kemi zhvilluar panaire të ndryshme. Kjo pikë turistike malore, pjesë e territorit të bashkisë Vlorë, ofron mundësi të shumta për kategori të caktuara të turistëve të huaj e pushuesve vendas. Mjafton të përmend faktin se, aty mund të përjetosh edhe ditë shumë të freskëta, apo të përballesh me stinën e vjeshtës, në korrik e gusht, për të evidentuar atraksionin e kësaj zone malore, shumë pranë qytetit dhe detit.
– Pra, ju keni bërë atraktive edhe pjesë të tjera të territorit?
Qëllimi i vërtetë i gjithçkaje që bëjmë është promovimi i Vlorës në të gjitha dimensionet, në të gjithë hapësirën, në të gjithë territorin. Dhe Vlora nuk është vetëm në qytet, por edhe në ish-bashkitë, apo komunat e dikurshme edhe në skajin më të largët, aty ku njerëzit krijojnë.
Ne kemi punuar dhe po punojmë për të krijuar një markë të veçantë të turizmit shqiptar, “Made in Vlora”. Është kjo markë që tashmë përfaqëson Shqipërinë kudo në botë dhe që pasqyrohet e reflektohet tek ata mijëra turistë nga vende të ndryshme që zgjedhin të vijnë në Vlorën tonë, në bregdetin tonë, në Vlorën bregdetare dhe atë malore, në Vlorën e detit të kthjellët dhe në Vlorën e traditave kulturore e shpirtërore, në Vlorën e isopolifonisë e të vlerave të kulinarisë. Dhe kjo Vlorë është kudo. Është kjo Vlorë që ne po evidentojmë dhe po i japim vlerë çdo ditë e më shumë dhe që të huajt po e pëlqejnë gjithnjë e më tepër. Prandaj dhe Vlora sot është aq e gjallë, është aq plot, është aq festive, me turistë që shijojnë, që na shprehin vlerësime, që kënaqen në Vlorë, që kanë ardhur e do vijnë. Prandaj dhe ne, me aktivitetet tona jemi shtrirë në të gjithë territorin, në të gjitha llojet e aktiviteteve kulturore e sportive. Mjafton të përmendim se vitin e kaluar këtu u zhvillua Kampionati Botëror i Fluturimeve, me praninë e sportistëve nga 150 vende të ndryshme të botës, nën sloganin “Vlora është Bota”.
– Në këndvështrimin tuaj, cili është impakti që krijojnë aktivitetet në promovimin dhe zhvillimin e turizmit në Vlorë?
Për të ilustruar argumentin tim po ndalem vetëm në një aspekt; hapësirën dhe mundësitë që krijojnë në rrafshin promovues rrjetet sociale. Prania e turistëve të huaj në aktivitetet argëtuese, kulturore e sportive, i shndërron ato në modele pozitive, në shembuj të një Vlore të gjallë, argëtuese, me mundësi të shumta për të gjithë ata që zgjedhin të pushojnë këtu. Janë këta turistë që i transmetojnë përjetimet e tyre përmes rrjeteve sociale, duke u treguar bashkëkombësve e bashkatdhetarëve, profilin e vërtetë turistik të Vlorës tonë të bukur e mikpritëse, e cila mirëpret këdo që zgjedh ta vizitojë atë. Shtimi nga viti në vit i numrit të turistëve të huaj, ka në themel edhe këtë aspekt që përmenda, krahas edhe faktorëve të tjerë. Në fund të fundit, duhet ta ritheksojmë që, një hapësirë turistike ka nevojë për gjallëri, për atmosferë, për festë, për argëtim.Në të kundërt, bukuritë natyrore mbeten pa vlerë. Nisur nga kjo, ne i kemi mëshuar gjithmonë e më shumë aspektit argëtues e promovues kulturor e sportiv.
…Dhe gjithçka përfundon brenda sezonit?
Në fakt, unë dua të theksoj se, nga ana e Bashkisë po punohet fort me strategjinë e shtrirjes së sezonit, ose më saktë të plotësimit të synimit tonë për një turizëm gjithëvjetor. Vlora ka resurse të mjaftueshme për ta shtrirë turizmin në të gjithë vitin, në të gjitha stinët. Çdo periudhë ofron mundësi të caktuara, të cilat kanë një emërues të përbashkët: Vlorën me kapacitetet e saj, me atraksionet e saj të pakufizuara në kohë e në muaj. Sigurisht, në përputhje dhe në përshtatje me këtë strategji, aktivitetet në vjeshtë e në dimër zhvendosen gradualisht në mjedise të mbyllura, ku salla e Teatrit “Petro Marko”, shndërrohet në epiqendër të tyre. Gjithsesi, përvoja e këtyre viteve, ka treguar se Vlora po konsolidohet gradualisht drejt turizmit gjithëvjetor. Ky fakt na bën krenarë.
– Cilat janë disa nga aktivitetet në vijimësi?
Në datën 22 korrik do të jetë shfaqja e spektaklit të “Portokallisë”, të cilën qytetarët dhe pushuesit do të kenë mundësi ta ndjekin “live”. Ndërkohë, në datën 14 korrik, do të ketë një tjetër spektakël, por këtë radhë me motoçikleta. Do të jenë rreth 150 motoçiklistë nga vende të ndryshme, që do të bëhen pjesë e këtij spektakli në Lungomare, ku ne besojmë të krijojmë një atmosferë të veçantë sportive dhe ku të pasionuarit do të përjetojnë me siguri emocione.
Më tej, do të jetë Maratona e Këngës, si edhe një aktivitet domethënës në Kalanë e Kaninës, ashtu sikundër edhe shumë e shumë veprimtari të tjera. Siguroj të gjithë pushuesit se, si asnjëherë tjetër, Vlora gjatë këtyre javëve do të jetë e mbushur me aktivitete, ku gjithësecili do të mund të gjejë veten për t’u argëtuar.