Loading...

Pse “hajdutët” janë prindër më të mirë se të tjerët?

Nga Artur Zheji

Në të vërtetë hajduti, guxon dhe rrezikon, mirëpo në këtë shoqëri që jetojmë ne, ku shumëkush udhëhiqet sipas parimit “KÇK” (Kap Çfarë të Kapësh), sepse punët rregullohen vetë më pas, hajdutëria është padyshim një sistem tashmë.

Madje në të folmen e përditshme thuhet: “A do bëjmë ndonjë punë, apo jo?”, me një fjalë do “bëjmë ndonjë goditje (vjedhje)”?
Vitet kalojnë me shpejtësi dhe hajdutët e djeshëm sot janë elita komanduese e shoqërisë, pronarë, deputetë, biznesmenë, njerëz të respektuar me shërbëtorë dhe makina të shtrenjta, madje janë tërheqës dhe edhe të suksesshëm me femrat.
Por vitet kanë kaluar përsëri dhe sot ndeshim përherë e më shpesh brezin e dytë, të kësaj “Elite”.

Fëmijë të mirëshkolluar, të mirëushqyer, me kryet lart, shpërfillës të shtresave të ulta, që janë me prejardhje ose nga “hajdutët e dështuar”, ose nga të ndershmit absurd që të kthejnë kusurin deri në qindarkën e fundit, që kanë burrni dhe zotnillëk, që nuk u bëjnë gojore shefave për t’kap ndonjë llokëm, që janë besimtarë e kanë frikë nga Zoti, e kështu me rradhë.

Shtresat tanimë janë ndarë fort dhe qartë, duke përjashtuar aksidentet.

Sot edhe vrasësit me pagesë, i kanë gjërat e qarta, të bëjmë lekët që na duhen, të ngremë shtëpi e katandi dhe të rrisim fëmijë të shkolluar që ti fusim në politikë dhe në “Elitën” e tribunave të ndritshme.

Dhe pra, pas këtij shtresëzimi shumëvjeçar, që më ka kaluar si një film përpara syve, kam parë pra, rrykat dhe pykat që u vinin erë këmbët nga papastëria tradicionale, që kruanin hundët e bënin “saçme”, aventurierë të goditjeve të forta që kanë shkuar më pas me thasë me para te zyrat e caktuara të politikës dhe të Prokurorisë, dhe sot janë “gentëlmenë”, apo vetëkujtohen si të tillë. Por gjithësesi të gjithë i thërrasin “Shefi”ose “bossi”.

Dhe tani krahasimi përfundimtar.

Fëmijët e tyre, të ish hajdutëve pra, janë sot meshkuj apo femra të lakmuara, të rritur bukur dhe shëndetshëm, të veshur, të shkolluar, të nurshëm.
Këta të tjerët, në jo pak raste, duke parë përreth dhe duke kuptuar rregullat e poshtra sociale ku jetojnë, ka plot raste që mallkojnë prindërit e tyre “idiotë”, që qëndruan të ndershëm.

Madje këta “të ndershmit”, na dalin po të kqyren hollë hollë me këndvështrimin e të bijve të mbetur edhe ata pa shanset e duhura në jetë, ca derdimenë mendjemëdhënj dhe me një respekt të tepruar për veten, ca egoistë krenarë, që të dashuruar me veten e tyre, kanë parapëlqyer varfërinë kundrejt bythëlëpirjes së shefave dhe bosave.

Apo që kanë vendosur emrin e mirë të vetes dhe Familjes, mbi mashtrimin, gënjeshtrën, vjedhjen dhe grabitjen, apo nënshtrimin fitimprurës ndaj të fortëve të kohës, për liçensat e duhura fitimprurëse e grabitqare.

Sot gjith’e më tepër, padrejtësia dhe hajdutëria e themeluar vite më parë dhe në vazhdim, është zhvendosur në brezin e dytë dhe të tretë të përfituesve, bijve apo nipave, të cilët jetojnë n’lluks, në superkushte dhe me superavantazhe, duke krijuar një vijë ndarëse verbuese dhe shpesh acaruese, që thellon ndarjen e Shqipërisë në tashmë super të pasur dhe në super të varfër.

Revolta e bijve të të ndershmëve, apo edhe e grave të tyre, ka sjellë rënien e përgjithshme të Moralit të Shoqërisë, nga njera anë dhe parakushtet për një përplasje të egër sociale, apo edhe për zbrazjen e Shqipërisë nga të dëshpëruarit e pashpresë…

“Mjerë të mundurit” thoshin latinët dikur, “Mjerë të Ndershmit” do të mund të thuhej sot, në kushtet e Shqipërisë, ku absolutisht mungon “Meritokracia”, si rregullator i rishpërndarjes së pasurisë kombëtare, edhe sipas vlerave të tregut dhe individit dhe jo vetëm, sipas konkurencës së pandershme dhe harbute të hajdutëve të djeshëm sot burra të nderuar, rrethuar me zara dhe sejmenë.

Kjo situatë, vret edhe parakushtet shpirtërore e morale, të një shoqërie që drejtohet dhe komandohet nga Antimorali, që shet moral ndër tribuna dhe ekrane…

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com